×
  • Lajme
  • Lajme

    Dështon të mbahet seanca ndaj dy të akuzuarve për mashtrim

    Reporteri
    10 Prill 2025 | 13:16

    Për shkak të problemeve teknike, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Lutfi dhe Salih Zariqi po akuzohen për mashtrim.

    Gjykatësi i rastit, Adnan Kamberi bëri të ditur se nuk ka kushte të mbahet seanca pasi që ka probleme teknike në Gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, në këtë seancë mungoi edhe prokurorja e rastit, Rukije Shasivari, për të cilën gjykatësi Kamberi tha se kjo e fundit nuk e ka arsyetuar mungesën në këtë seancë.

    Në këto rrethana, seanca është shtyrë për një datë tjetër.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinë, në shkurt të vitit 2022 i kishte liruar nga akuza dy të akuzuarit për mashtrim. Por, Gjykata e Apelit në shkurt të 2023-ës rastin ndaj të akuzuarve Salih dhe Lutfi Zariqi e kishte kthyer në rigjykim.

    Kolegji i Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe aktgjykimit të atakuar, ka gjetur dhe ka vërtetuar se aktgjykimi i Themelores është përfshirë me shkelje esenciale, e të cilin e bëjnë kundërthënës me saktësinë e dëshmive që janë kundërthënëse në mes vete dhe me faktet ekzistuese.

    Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të vitit 2017 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Salih dhe Lutfi Zariqi akuzohen se që nga 10 shkurti 1992, dhe në vazhdimësi deri më sot, kanë zhvilluar një procedurë civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ata akuzohen se me paraqitjen e fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në bashkëkryerje dhe me marrëveshje paraprake, kanë arritur të ndryshojnë pronarin e një paluajtshmërie në ish-Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Salih Zariqi, pas përpilimit të dokumentit publik të falsifikuar, konkretisht procesverbalin e titulluar “Zapisnik o Usmenoj Raspravi”, e ka përdorur si dokument të vërtetë, në bazë të të cilit është marrë aktvendimi me numër T.nr.64/04, dhe paluajtshmëria, ngastra kadastrale nr. 2708/2, me sipërfaqe prej 47.48 ari nga ish-Kuvendi Komunal, ka kaluar në emër të të pandehurit Lutfi Zariqi.

    Më pas, sipas aktakuzës, të pandehurit, përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara, kanë nisur një procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me paraqitjen e fakteve të rreme, për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, në këtë rast të dëmtuarit H.D. Kjo procedurë vazhdon edhe sot e kësaj dite.

    Me këto veprime, Salih dhe Lutfi Zariqi akuzohen për bashkëkryerje të veprës penale “Mashtrimi”, sipas nenit 335, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!