×
  • Lajme
  • Lajme / Mitrovicë

    Detaje nga mbyllja e institucionit paralel të Serbisë në veri, grumbulloi jashtëligjshëm para nga qytetarët e bizneset

    Reporteri
    26 Dhjetor 2024 | 13:32

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje të reja për mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

    Ai tha se kjo u bë “në respektim të plotë të legjislacionit tonë” dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe “të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë”.

    Sipas materialeve të siguruara nga Policia, Sveçla tha se bëhet fjalë për një institucion i cili “jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre”.

    “Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, tha ai.

    Policia e Kosovës të enjten ka njoftuar se i ka vendosur shiritin një objekti në Mitrovicën e Veriut ku dyshohet se ushtronte veprimtarinë një institucion ilegal.

    Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    “Sot pak para orës 11:00, Policia ka asistu zyrtarët Komunal të Mitrovicës Veriore në lidhje me verifikimin e Pronës së tyre tek tre rrokaqiejt. Në momentin e hyrjes në këtë objekt (kati i parë i ndërtesës), Policia ka biseduar me disa persona të cilët na kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal.

    Pas verifikimit të disa dokumenteve ne e kemi njoftu Prokurorinë e Mitrovicës dhe kemi hap rast për dyshimin Falsifikim të Dokumenteve. Punëtorët janë leju me i marr gjërat personale dhe me u largu nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat”, tha Elshani.

    Elshani tha se nga ky aksion nuk ka të arrestuar.

    Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia do të verifikoj dokumentacionin që gjendet aty në detaje. Gjatë këtij veprimi policor, nuk ka pas ndonjë incident”, tha Elshani./Reporteri.net/

    Policia kryen bastisje në objektin te ‘Tre Rrokaqiejtë’ në veri, has në struktura paralele

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!