×
  • Lajme
  • Lajme

    Detaje të reja: Si u infektuan me koronavirus 20 persona nga Prishtina, pasi vizituan në spital familjarin e tyre

    Reporteri
    12 Prill 2020 | 10:53

    Prishtina që nga sot do të futet në karantinë, pasi në kryeqytet mbrëmë u konfirmuan edhe 20 raste të reja me koronavirus.


    Të gjithë këta, siç e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti janë familjarë mes vete dhe të njëjtët kishin vizituar në spital një person që rezultoi pozitiv me virusin e ri, shkruan Gazeta Metro.

    Prishtina tashmë është Komuna e dytë me më së shumti persona të prekur nga koronavirusi, shifër kjo që mbrëmë arriti në 47, pas konfirmimit të 20 rasteve të reja.

    Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti mbrëmë ka konfirmuar se rastet e fundit janë familjarë mes vete, dhe se të njëjtit kishin vizituar në spital personin që ishte shtrirë për sëmundje kronike, por që më pas rezultoi pozitiv me virusin e ri.

    “E kemi pas një rast të shtrirë që ka qenë me sëmundje kronike, familjarët kanë shku me vizitu dhe pasi i është bërë testi, ka dalë pozitiv. Atëherë i kemi testu familjarët dhe prej 25, prej tyre 20 kanë dale pozitiv.”, ka thënë mbrëmë Ahmeti, në një lidhje direkte në Facebook.

    Ndërkaq, lajmin për 20 rastet e reja e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media, ku u theksua se Prishtina nga sot do të shpallet zonë karantine dhe se personat që ndodhen jashtë, kanë kohë të kthehen deri në orën 17:00, shkruan Gazeta Metro.

    “Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Kurse, për detaje të reja rreth vendimit të fundit, Kryetari Ahmeti do të mbajë sot konferencë për media që pritet të fillojë nga ora 12:00.

    Kujtojmë se në Kosovë deri tashjanë shënuar 283 raste pozitive me koronavirus, ku 58 prej tyre janë shëruar dhe 7 kanë përfunduar me fatalitet.

    Komuna e Malishevës është qyteti që prinë me numrin e të infektuarve, me gjithsej 66 të tillë, ndërkaq, rreth 4 mijë persona po mbikqyren si kontakte të të infektuarve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!