×
  • Lajme
  • Lajme

    ‘Deva Tours’ për Reporteri: Pronari ndodhet në Kroaci, nuk po kërkohet nga Policia

    Reporteri
    27 Korrik 2021 | 14:44

    Autor: Arlinda Rrmoku 


    Nga kompania “Deva Tours” thonë se pronari i tyre ndodhet në Kroaci, pranë familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik të autobusit të tyre, që ndodhi mëngjesin e së dielës në autostradën Bregana-Lipovac afër Slavonski Brod në Kroaci, derisa mbi 60 mërgimtarë kosovarë po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.


    Në një bisedë përmes telefonit, nga kjo kompani me bazë në Gjakovë e seli në Prishtinë, mohuan për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ aludimet se pronari i tyre është vënë në kërkim policor, pas rastit tragjik që pati për pasojë vdekjen e 10 kosovarëve në Kroaci.

    “Nuk është në kërkim të Policisë. Na jemi t’u bashkëpunu me Policinë lidhur me këtë rast. Për çka me qenë pronari në kërkim, s’po e kuptoj. Për çka?”, i tha përmes telefoni një punonjës i kompanisë që iu përgjigj thirrjes së gazetës Reporteri.net në numrat zyrtarë të kompanisë.

    Tutje, sipas punonjësit të “Deva Tours”, pronari i kompanisë, emrin e të cilit nuk e tregoi, ndodhet aktualisht në Slavonski Brod të Kroacisë, pranë familjarëve të viktimave të aksidentit të së dielës.

    “Pronari është në Kroaci, në Slavonski Brod pranë familjarëve të viktimave, që janë t’u i pritë trupat për me ardhë knej. Edhe dje e kena nisë një autobus me 7-8 persona që kanë qenë të palëndum, që kanë pshtu pak ma lehtë. Edhe qështu”, tha punonjësi i “Deva Tours” të martën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    “Nuk është kah mshefet pronari as kurrgjë, po pronari nuk e ka shkaktu aksidentin, përqato nuk ka pse me u kërku. Na jena t’u u munu me i respektu familjet, përqato nuk jemi kah dalim, se përndryshe nuk ka diçka të parregullt prej anës së kompanisë. Tash dalin edhe raportet e senet prej Policisë”, shtoi ai.

    Kompania “Deva Tours”, e regjistruar në ARBK si “Deva Tours SHPK”, rezulton të jetë e regjistruar 100% në pronësi të personit me emrin Arianit Avdija, që njëherit është i regjistruar si drejtor i kompanisë në fjalë.

    E njëjta kompani, me bazë në Gjakovë, e një seli edhe në Prishtinë, sipas të dhënave të deklaruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, rezulton të këtë kapital të regjistruar mbi 1.2 milionë Euro në pronësi.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka kontaktuar të martën Policinë e Kosovës për t’i pyetur nëse pronari i kompanisë po kërkohet nga policia, apo nëse të njëjtit janë në dijeni për vendndodhjen e tij, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në botimin e artikullit.

    Ndryshe, një Gjykatë Qarku në Kroaci, me kërkesë të Prokurorisë, i ka caktuar sot 30 ditë paraburgim shoferit të kompanisë “Deva Tours” që dyshohet se ishte duke e drejtuar autobusin e aksidentuar në Kroaci, në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik.

    Shoferi që shkaktoi aksidentin në Kroaci, ishte arrestuar në vitin 2017 për trafikim droge

    Ndërkohë që shoferi tjetër ndihmës i të njëjtës linjë udhëtimi, është identifikuar në mesin e 10 të vdekurve në aksidentin e mëngjesit të së dielës në Kroaci. Nga i njëjti aksident trafik u raportuan 45 të lënduar, nga mbi 60 pasagjerë që ndodheshin në autobusin e linjës Gjermani-Kosovë.

    Shumica prej tyre janë liruar nga spitali, pasi kanë marrë trajtimin mjekësore në Kroaci, derisa për vetëm një të lënduar konfirmohet se vazhdon të jetë ende në gjendje të rëndë shëndetësore. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!