Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë hedhur poshtë kërkesën e përbashkët të mbrojtjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, ka theksuar se kërkesa në fjalë kishte të bënte me apelim të një vendimi të mëparshëm të gjykatësve, me të cilin Trupi Gjykues kishte pranuar si prova dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
“Në lidhje me autenticitetin prima facie të dokumenteve, Trupi Gjykues rikujtoi në hollësi se si kishte bërë vlerësimin e autenticitetit të secilit dokument, duke marrë parasysh një numër treguesish relevantë të autenticitetit, si nënshkrimet dhe vulat, si dhe faktin se disa nga këto dokumente i ishin sekuestruar zotit Krasniqi”, tha Doyle në një konferencë për media.
Ai në fund theksoi: “Lidhur me kundërshtimin e Mbrojtjes se Prokuroria i dorëzoi këto dokumente për pranim në fund të paraqitjes së provave të saj, Trupi Gjykues theksoi se, përmes listës së provave materiale të dorëzuar nga Prokuroria para se të thërriste dëshmitarët e saj, Mbrojtja ishte informuar për synimin e Prokurorisë për t’i përdorur dhe për t’u mbështetur në secilin prej këtyre materialeve që në fillim të procesit”.