Dhuna ndaj grave në rritje, 1.374 raste të raportuara në 2021

Çdo ditë që kalon paraqitet ndonjë rast i ri në Polici dhe në media për dhunën që e përjetojnë gratë. Policia bëri të ditur se po angazhohet në parandalimin e këtyre rasteve, por të dhënat dhe shoqëria civile e thanë të kundërtën.


Gratë ndodhë që edhe përballen me padrejtësinë, pasi shumë dhunues enden të lirë në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera.

Jo më pak se rasti i Diana Kastratit, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti i saj e që ky i fundit është në arrati në shtetin e Spanjës, por që më shumë se 10 vjet nuk është kapur nga organet e drejtësisë.

E raste si këto sa vazhdojnë e shtohen. Vetëm gjatë vitit 2019 janë katër raste kur burrat ua kanë marrë jetën grave të tyre. Por që, nuk lihet anash as viti 2020 që e ka çuar në pesë numrin e viktimave të vrara nga bashkëshortët e tyre, në ndërkohë gjatë vitit të fundit janë të raportuara tri raste të vrasjeve në familje, por që shumë nga kryerësit ende nuk janë kapur nga organet e drejtësisë.

Këtë e bëri të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Kp. Policia bëri të ditur se në vazhdimësi është angazhuar në parandalimin e këtyre rasteve. Megjithatë, statistikat tregojnë se rastet veç janë rritur nga viti në vit.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Policia e Kosovës në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar i yni, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla. Viti 2016 ka 1225 raportime, pas tij në vitin 2017 numri i raportimeve rritet për 44 raportime duke shkuar numri në 1 mijë e 269, por që nuk lihet pas as viti 2018, ku numri i raportimeve rritet për 264 raste. Në ndërkohë viti 2019 e qon numrin e raportimeve në 1 mijë e 914, pastaj është viti 2020 ku numri i raportimeve është 2 mijë e 69, si dhe vitin e fundit me 1 mijë 374 raportime”, u bë e ditur në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Adelina Berisha nga “Rrjeti i Grave të Kosovës” tregoi se dhuna në Kosovë është një fenomen mjaft i shprehur, ku mbi 80% e kësaj dhune janë gra dhe vajza.

Po ashtu, ajo tregoi se në vitin 2020 kanë qenë mbi 2060 raste të dhunës në familje, kurse sipas një hulumtimi në vitin 2015, 68% e grave të Kosovës kanë përjetuar dhunës në familje gjatë jetës së tyre.

“Në Kosovë dhuna në familje është mjaftë e shprehur prej të dhënave nga institucionet, veçanërisht nga policia që janë si dera e parë ku viktimat shkojnë me raportuar dhunën. Mbi 80% e dhunës në familje janë gra dhe vajza, pjesa tjetër mund të jenë fëmijë dhe mund të jenë të moshuar, shumë më pak preken burrat dhe djemtë, më shumë djemtë dhe më pak burrat. Ndërsa sa i përket sa janë të shtrirë, e di që vjet kanë qenë mbi 2060 raste të dhunës në familje. Për këtë periudhë për momentin nuk i kam të dhënat këtu, ndërsa sa i përket shtrirjes në familje, hulumtimi i rrjetit të grave i bërë në vitin 2015 ka gjet se diku 68% e grave kosovare kanë përjetua ndonjë formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre, janë të dhëna vetëm për dhunën në familje. Si brenda familjes, po ashtu edhe në hapësirat publike gratë cenohen dhe ndaj grave ushtrohet dhunë në forma të ndryshme, qoftë ajo fizike, seksuale, ekonomike apo psikologjike emocionale.”, tha ajo.

Berisha u shpreh se gratë që dhunohen vendosen në strehimore, ku kanë të drejtë qëndrimi deri në gjashtë muaj, por kanë raste edhe kur strehimoret i kanë mbajtur deri në një vit. Kjo sipas saj, nuk është zgjidhje.

“I kemi qendrat për punë sociale të cilat do të duhet të jenë të gatshme të ndihmojnë gratë që kanë përjetu dhunë por veçanërisht fokusi i tyre duhet të jenë fëmijët që janë pre apo viktima pse prindërit e tyre janë në marrëdhënie të dhunshme. Në anën tjetër i kemi strehimoret të cilat e bëjnë strehimin dhe këshillimin psikologjik dhe social dhe ligjor për viktimat e dhunës në familje, mirëpo në strehimore sipas legjislacionit vendor viktimat mund të rrinë deri në gjashtë muaj, kjo nuk nënkupton që viktimat largohen pas gjashtë muajve, kemi pas raste kur strehimoret janë tregu të hapura dhe i kanë mbajt viktima edhe më gjatë, mirëpo kjo nuk është zgjidhje sepse edhe nëse rrinë një vit ato prapë duhet të dalin nga këto strehimore”, tregoi ajo.

Kurse, psikologu Petrit Thaçi u shpreh se dhuna nuk nënkupton vetëm dhunë fizike.

“Dhunuesit sistematike nuk janë vetëm dhunues fizik, ata janë dhunues psikologjikë, ata janë dhunues social, dhunues ekonomik, prandaj është e natyrshme që dhunuesit e tillë të kontrollojnë partnerin e tyre ku del, ku shkon, të kontrollojnë partneri e tyre sa shpenzon d.m.th, ku i la paratë njëfarë forme ose të aprovojë nga shumë mundësi të qasjes ekonomike, pra shikuar nga ky prizëm, kanë shumë vështirësi që femrat apo gratë e dhunuara të jenë me patjetër pjesë e procesit psiko-terapeutik. Ka numër prej tyre që i prividhen kontrollit familjarë, arrijnë të vijnë në proces psiko terapeutik dhe vërehet një dëshpërim, vërehet një rënie e vetë vlerësimit dhe mungesë e sigurisë ose mbështetjes në diçka deri në kalim të gjendje të rëndë depresive ose edhe të asaj ndjenjës t’i japim(…).Prandaj si dukuri është e palakmueshme”, shtoi ai.

Për këtë temë delikate foli edhe sociologia, Bukurie Rrustemi, e cila tha se për trajtimin e personave që kryejnë dhunë, shteti nuk po ndërmerr asnjë masë që këta t’i trajtojnë problemet e tyre.

“Po ashtu ky fenomen (dhunës së grave) që po vjen duke u rritur, ashtu edhe siç e potencova në shoqërinë tonë në momentin kur po ndodhin vrasje ose para se me ndodhë vrasje, personat të cilët janë delikuent, pra personat të cilët janë duke bërë sjellje joshoqërore, sjellje devijonte në shoqëri. Këta persona janë të lirë nuk kanë ndonjë trajtim të veçantë nga ana e shtetit, ose qendrave të veçanta psikiatrike ku kishin mujt me i trajtu problemet e tyre stresin, depresionin, ndikimin e substancave narkotike të cilat tej përdorimin e alkoolit të cilat këto rrjedhimisht sjellin edhe tek vrasja e personave të tjerë që shumicën e rasteve janë viktima gratë.”, vlerësoi ajo./kp