×
  • Lajme
  • Lajme / Vizita dyditore e emisarit amerikan

    Porositë “e domosdoshme” për Kosovën, Escobar takon krerët e opozitës sot në ora 19:00

    Reporteri
    13 Mars 2024 | 11:00

    I dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij dyditore në Prishtinë, do të zhvillojë edhe një takim me opozitën, përveç atyre me krerët e shtetit. Fokus i takimeve të zëvendës-ndihmës Sekretarit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të ShBA-së, do të jenë dialogu si dhe çështja e dinarit.

    Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar zyrtarisht për Gazetën Online Reporteri.net se kreu i partisë, Ramush Haradinaj do të jetë pjesë e takimit i cili do të zhvillohet në ora 19:00.

    Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemajli tha se AAK-ja mirëpret angazhimin e ShBA-së për finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

    “E mirëpresim angazhimin e ShBA-së për finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Angazhimi i emisarit Escobar është kyç dhe e falënderojmë për gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Kosovën në synimet e saj. Kryetari Haradinaj me kënaqësi ka pranuar ftesën për takim sot në ora 19:00”, tha Xhemajli për Reporteri.net.

    Gazeta Online Reporteri.net nga burime pranë Partisë Demokratike të Kosovës, merr vesh se edhe i pari i kësaj partie i është përgjigjur pozitivisht ftesës për takim me emisarin amerikan, Gabriel Escobar.

    Pjesëmarrjen në këtë takim të krerëve të opozitës me Escobarin e kanë konfirmuar dje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Po Kryetari ka takim me Escobarin”, tha të martën shkurtimisht për Reporteri.net, Berat Rukiqi, koordinator për media i LDK-së.

    I dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor paraditen e sotme është pritur në takim nga e para e shtetit, Vjosa Osmani, ku pas këtij takimi do të ketë edhe deklarime për media.

    Takimin për të enjten e 14 marsit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe emisari amerikan, e kanë konfirmuar për Gazeta Online Reporteri.net nga Qeveria e Kosovës.

    “Po kryeministri takohet të enjten”, tha shkurt Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

    Një ditë para vizitës së tij në Kosovë, Escobar, në një diskutim online me gazetarë ku mori pjesë edhe gazeta online Reporteri.net, ka numëruar 5 arsye që sipas tij, rregullorja e re e BQK-së është problematike në implementim.

    “Është vendim katastrofal”, tha Escobar në hyrje të diskutimit. Sipas tij, “Kosovës i duhet ndihma për këtë çështje”.

    Çështja e dinarit dhe dialogu, Escobar nesër i shkon në zyrë Kurtit

    “Po dëgjojmë shumë raportime për vështirësi për qytetarët që varen nga pagesat. Pesë arsye: Shpejtësia e implementimit. Nuk po diskutojmë legjitimitetin e vendimit, por implementimin e vendimit. Qeveria nuk ka ofruar alternativa tjera, dhe këta njerëz varen nga këto pagesa. Nuk ka pasur paralajmërim/parapërgatitje, pra shumë njerëz që janë varur nga këto pagesa janë lënë në udhëkryq”, tha Escobar.

    Escobar ka lënë të kuptohet se me të tilla veprime, Kosova po e pengon dhe anashkalon Dialogun.

    “Rruga për BE dhe NATO shkon kah pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Këto shtete dëshirojnë të shohin lëvizje. Pra duke injoruar dialogun, Kosova është duke injoruar rrugën përpara. Jam i shqetësuar që Kosova nuk është duke e dëgjuar SHBA-në për rrugën përpara”, tha emisari amerikan.

    Gabriel Escobar po e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë e Kosovës janë në pikën më të ulët, prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mandatin e dytë qeverisës në vend. Gazeta Online Reporteri.net javën që shkoi raportoi eksluzivisht, se Administrata amerikane ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si ‘masë kufizuese’ ndaj tij. Shkak, moskoordinimi i përgjithshëm në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve të Brukselit, me Serbinë.

    Në raportimin e 7 marsit 2024, gazeta online Reporteri.net, duke u thirrur në burime të besueshme diplomatike paralajmëroi se “porosi të qarta dhe të domosdoshme” për Qeverinë e Kosovës pritet të vijnë shpejtë nga SHBA-ja.

    SHBA-ja ‘masë kufizuese’ ndaj kryeministrit Kurti, limiton nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me të

    Para se të ateroi në Prishtinë, emisari amerikan, Gabriel Esobar, i ka rikonfirmuar vetë dje edhe një herë “telashet” e SHBA-së me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas emisarit amerikan “telashe” me Kryeministrin Kurti nuk ka veç SHBA-ja, por edhe partnerët tjerë, si BE, NATO e Britania e Madhe. Ai e veçon edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

    “Por do të thosha se së fundmi kemi problem me komunikim me kryeministrin Kurti. Nuk është vetëm SHBA-ja. Nuk është problem që e ka vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova në komunikimet me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, dhe me shumë shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur kemi pasur partneritet më të mirë dhe ne duam që të kemi partneritet të tillë”, tha Escobar, në një diskutim online me gazetarë, nga Brukseli, ku mori pjesë edhe gazeta online Reporteri.net.

    Escobar rikonfirmon “telashet” e SHBA-së me Kurtin: Kemi problem me komunikimin – jo veç ne, edhe BE, NATO dhe Britania

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!