Dialogu e taksa: Si u përplasën sot nga distanca Haradinaj me Mogherinin

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini e cila për një kohë të gjatë drejtoi dialogun Kosovë-Serbi por që ka mbetur paksa anash pas futjes në këtë proces të dy fuqive të mëdha Gjermanisë e Francës, po vazhdon të shpreson se do të vazhdon punën e saj në pajtimin e palëve.


Por mendim krejtësisht të kundërt ka kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nuk beson që dialogu nën udhëheqjen e Mogherinit do të zgjasë, duke përmendur këtu zgjedhjet në BE që pritet të mbahen në fund të muajit maj.

Sipas tij, nuk duhet ndërhyrë në agjendën e atyre që do ta marrin pastaj përsipër këtë proces.

Haradinaj në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas Samitit të Berlinit që u mbajt sot sqaroi se nuk ka asgjë personale me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë-Serbi, veçse tha se e ka kundërshtuar në çështjen e kufijve pasi kjo temë lidhet me fatin e fëmijëve në Kosovë.

Edhe në mbledhjen e Këshillit Drejtues të AAK-së të cilën parti e drejton, Haradinaj tha sot se kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ia kanë marrë çështjen e dialogut Mogherinit, gjë që sipas tij, tregon se më nuk ekziston tema e territoreve.

“Diçka tjetër që unë konsideroj se ka ndodhur, është se Merkel dhe Macron e kanë marrë dialogun, do te thotë dialogu i udhëhequr nga Mogherini më nuk ekziston”, tha më tej ai, shkruan Reporteri.net.

Por Federica Mogherini nga Tirana ku po qëndron sot ju kundërpërgjigj Haradinajt.

Ajo tha se është e gatshme të thërrasë që sot një sesion të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, nëse qeveria kosovare do të hiqte që sonte taksën 100 % ndaj produkteve serbe, duke konfirmuar kështu se nuk heq lehtë dorë nga udhëheqja e dialogut.

Ndërsa thumboi Haradinaj ndërsa foli për taksën.

“Vendimi për tarifën 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja kanë krijuar një ambient që nuk është frytdhënës për dialogun dhe në shkelje të marrëveshjeve që janë nënshkruar. Nga ana e BE, ne kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte menjëherë kushtet që dialogu të fillonte. Nëse do të hiqen këto tarifa sonte nesër në mëngjes, unë do të thërrisja një sesion të dialogut. Në mungesë të këtij mjedisi unë nuk shoh që dialogu të fillojë. Përgjegjësia është në duart e vendimmarrësve në Kosovë”, tha Mogherini.

Ajo më tej tha se BE nuk është pjesë e ndonjë plani por në rolin lehtësues për të krijuar kushtet që të dyja palët të bëhen bashkë.

“Roli jonë është të krijojmë kushte që palët të bëhen bashkë por dialogu nuk na takon ne. Unë marr seriozisht roli tonë për normalizimin e marrëdhënies dhe ne duhet të krijojmë këtë hapësirë. Besoj se do dominojë zgjuarsia pasi askush nuk fiton nga ky ngërç. Mendoj se askush nuk mund të nënvlerësojë interesin qe kemi për këtë dialog”, tha Mogherini. /Reporteri.net/.