×
  • Lajme
  • Lajme

    Dialogu, Lajçak e Escobar i përvishen punës për takimin e ardhshëm, Kurti paralajmëron diskutime të vështira

    Reporteri
    01 Mars 2023 | 7:26

    Pas takimit të së hënës në Bruksel ku u pranua propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, emisarët Lajçak dhe Gabriel Escobar kanë njoftuar për një takim të përbashkët.

    Ishte Lajçak ai që njoftoi se takimi me Escobar erdhi si nevojë e koordinimit të hapave të mëtejshëm para takimit të radhës që do të mbahet në Shkup, më 18 mars, shkruan Reporteri.net.

    I njëjti tha se të dy u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut.

    “Pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë, Zëvendës Asistenti Escobar dhe unë u ulëm për të koordinuar hapat e mëtejmë në prag të takimit të ardhshëm. U dakorduam mbi rëndësinë e modaliteteve të implementimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të Dialogut”, njoftoi Lajçak në Twitter.

    Escobar në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka thënë se propozimi franko-gjerman nuk është për njohje reciproke por vetëm për normalizim të raporteve.

    Ai ka thënë se fakti që SHBA-ja e përkrah këtë propozim nuk do të thotë që SHBA-ja nuk beson se rajoni për të qenë i shëndetshëm duhet të kapërcejë ngjarjet e viteve të 90-ta.

    Escobar tutje ka thënë se SHBA-ja beson se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën.

    “Propozimi i BE-së nuk është për njohje-reciproke por është për normalizim. Por vetëm pse ne e mbështesim këtë propozim në këtë kohë specifike, nuk do të thotë që ne nuk besojmë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të qenë të shëndetshme duhet të dalin nga ngjarjet e viteve 90-ta. Ne besojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra tjetrën dhe të kenë raporte të mira me njëra-tjetrën”, ka thënë Escobar.

    Ai ka thënë se arsyeja pse SHBA-ja e ka shtuar fjalën “eventuale” në letrat e fundit të krerëve të shtetit kur flitet për njohjen reciproke është se s’dëshirojnë që ta ndryshojnë draftin e propozimit franko-gjerman, megjithatë specifikon se qëllimi i SHBA-së për atë se çfarë përfundimisht duhet të arrihet në Ballkan Perëndimor s’ka ndryshuar.

    “Kjo është arsyeja pse e kemi vendosur fjalën “eventuale” në letër. Kështu që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk duam të ndryshojmë propozimin evropian. Por nuk ka ndryshuar ajo se çfarë ne duam që përfundimisht duhet të ndodh në Ballkan Perëndimor”, ka thënë Escobar.

    Por, Escobar shtoi se me marrëveshjen e arritur dje në Bruksel, beson se Kosova e ka kuptuar se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi siç thotë ai është obligim që të zbatohet.

    “Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët. Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, tha Escobar në konferencën online me gazetarët.

    Diskutime të vështira gjatë muajve në vijim paralajmëroi kryeministri i vendit, Albin Kurti. Kurti gjatë ditës së djeshme tha se nuk ka hequr dorë nga njohja reciproke.

    “Nuk kemi hequr dorë nga asgjë dhe do të vazhdojmë për qytetarët e Kosovës. Na presin takime e diskutime të vështira në muajt në vazhdim. Jam i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka thënë se palët ndërmjetësuese të dialogut janë të përkushtuar që gjatë muajit mars të ketë marrëveshje për propozimin në fjalë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.

    Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë të hënën, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.

    Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/.

    Kurti flet pas kthimit nga Brukseli: Palët ndërmjetësuese duan marrëveshje gjatë muajit mars, na presin takime të vështira

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!