Për katër vjet, Kryeministri Albin Kurti, Kryenegociatori Besnik Bislimi dhe stafi i tyre përcjellës, përfshirë ekipi i dialogut, kanë shpenzuar rreth 145 mijë euro për takimet e dialogut mes Kosovës dhe Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pas rreth pesë muajsh përpjekje, Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar qasje në shpenzimet për mëditje, akomodim, bileta e dreka të Kurtit, Bislimit dhe të tjerëve. Shpenzimet janë siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
I nisur nga viti 2011, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon ende. Përgjatë katër viteve të fundit, janë zhvilluar disa takime në Bruksel, teknike e të nivelit të lartë, në kuadër të këtij procesi, nga Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri e kryenegociatori Besnik Bislimi. I fundit ka qenë në dhjetor të vitit 2024.
Por, sa është shpenzuar për këto takime? Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar listën e shpenzimeve për akomodim, bileta, dreka e mëditje nga Zyra e Kryeministrit, pas rreth pesë muajsh përpjekje. ZKM ka ofruar të dhënat tek pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, e cila e ka obliguar ZKM’në që t’i ndajë këto dokumente.
Nga dokumentet e ofruara shihet se kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë asnjë cent mëditje në këto katër vjet. Për dallim prej tij, Bislimi ka marrë 7 mijë e 489 euro mëditje për udhëtimet në Bruksel për ta përfaqësuar vendin në tavolinën e bisedimeve.
Kurti nuk e ka shpenzuar asnjë cent as për dreka zyrtare gjatë këtyre takimeve. Bislimi për katër vjet, ka shpenzime në vlerë 1 mijë e 853 euro për dreka zyrtare.
Mbi 33 mijë euro për bileta
Gjatë vitit 2024, shpenzimet e dialogut sillen rreth 50 mijë euro, shuma më e lartë nga katër vitet e fundit. Më së shtrenjti kanë kushtuar biletat, saktësisht mbi 33 mijë euro.
Nga Kurti vjet janë shpenzuar 270 euro për akomodim, e 870 për bileta.
Stafi i tij, përfshirë edhe rastet kur e kanë shoqëruar Bislimin në takimet gjatë vitit të kaluar, ka marrë 1 mijë e 864 euro mëditje, 2 mijë e 469 euro janë shpenzimet për akomodimin e tyre dhe 5 mijë e 920 euro kanë kushtuar biletat e udhëtimit për ta.
Bislimi për takimet gjatë vitit të kaluar ka marrë 2 mijë e 200 euro mëditje. 2 mijë e 426 euro tjera kanë shkuar për akomodimin e tij, 7 mijë e 233 euro për biletat e udhëtimit dhe 248 euro janë shpenzimet për drekat zyrtare.
Stafi i tij, përfshirë Ekipin e Dialogut, ka marrë 976 euro mëditje, 6 mijë e 206 euro janë shpenzime të akomodimit dhe 19 mijë e 207 euro kanë kushtuar biletat e udhëtimit.
Në total gjatë vitit të kaluar, janë zhvilluar dhjetë takime në kuadër të dialogut.
Gati 9 mijë euro për biletat e Bislimit
Gjatë vitit 2023, më së shumti harxhime për këto takime janë bërë për biletat e udhëtimit, që në total kanë kushtuar mbi 23 mijë euro, derisa rreth 12 mijë euro janë shpenzimet e akomodimit.
Për takimet e para dy vjetëve, Kurti ka shpenzuar 1 mijë e 298 euro për akomodim dhe 2 mijë e 942 euro për bileta. Shpenzimet e tij për mëditje e dreka janë zero.
Stafi i tij ndërkohë ka marë 2 mijë e 288 euro mëditje, teksa 3 mijë e 290 euro janë shpenzime të akomodimit dhe 3 mijë e 486 të biletave.
Shpenzimet e Bislimit për takimet e zhvilluara në 2023’ën janë mbi 13 mijë euro. 1 mijë e 764 euro ka marrë si mëditje, 3 mijë e 73 euro kanë shkuar për akomodim dhe 8 mijë e 629 euro për bileta udhëtimi. 109 euro janë shpenzime për dreka zyrtare.
Stafi i tij, përfshirë edhe ekipin e dialogut, ka marrë 621 euro mëditje. Për akomodimin e tyre janë shpenzuar 4 mijë e 266 euro dhe 8 mijë e 110 euro tjera për bileta.
Në total, shpenzimet për atë vit sillen rreth 40 mijë euro.
Mbi 6 mijë euro për akomodim
Për takimet e dialogut që janë zhvilluar gjatë vitit 2022, janë shpenzuar rreth 27 mijë euro. Shpenzimet e Kurtit me staf janë rreth 8 mijë euro.
Kurti i vetëm ka shpenzuar 275 euro për akomodim dhe 1 mijë e 677 euro për bileta. Shpenzime tjera s’ka.
Mëditjet që ka marrë stafi i tij janë në vlerë 1 mijë e 36 euro. Biletat e tyre kanë kushtuar 3 mijë e 161 euro dhe akomodimi 1 mijë e 300.
Kryenegociatori Bislimi për këto takime ka marrë 1 mijë e 749 euro mëditje, teksa për dreka ka shpenzuar 573 euro. Biletat i kanë kushtuar 4 mijë e 637 euro, ndërsa akomodimi 2 mijë e 187.
Në këto takime, Bislimin e ka shoqëruar stafi i tij dhe Ekipi i Dialogut. Për mëditjet e tyre janë shpenzuar 1 mijë e 479 euro, 2 mijë e 543 për akomodim dhe 6 mijë e 33 euro për bileta.
1114 euro për dreka zyrtare
Shpenzimet për takimet e dialogut gjatë vitit 2021, sillen rreth 28 mijë euro.
Rreth 3 mijë euro janë shpenzimet e Kurtit, ku 1 mijë e 160 euro janë për akomodim dhe 1 mijë e 797 për bileta udhëtimi.
Stafi që e ka shoqëruar atë ka marrë 615 euro mëditje, ndërsa akomodimi i tyre ka kushtuar 721 euro dhe biletat 796.
Për atë vit, Bislimi ka marrë mëditje në vlerë 1 mijë e 776 euro. Shpenzimet për akomodimin e tij janë 2 mijë e 41 euro, ndërsa për bileta 2 mijë e 943 euro.
Në këto takime, bashkë me Bislimin ka qenë edhe stafi i tij dhe zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Si mëditje për ta janë paguar 3 mijë e 8 euro, 3 mijë e 175 tjera për akomodim, 9 mijë e 133 euro për bileta dhe 220 euro për dreka. Në total për dreka zyrtare janë shpenzuar 1 mijë e 114 euro./Reporteri.net