×
  • Lajme
  • Lajme / ZPRK

    Dialogu Strategjik, Presidenca jep detaje: Osmani i dërgoi SHBA-së propozimin që nga viti 2021, marrëveshja finalizohet së shpejti

    Reporteri
    10 Janar 2025 | 12:58

    Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, në kuadër të turneut në vendet e Ballkanit Perëndimor, sot po qëndron në Kosovë.

    Ai fillimisht është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Pas takimit Osmani bëri të ditur se Kosova dhe SHBA-ja së shpejti do ta finalizojnë marrëveshjen për Dialogu Strategjik. Presidentja Osmani ka thënë se propozimin  ia ka bërë SHBA-së, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm.

    “Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-ve, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm. Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces”, u bë e ditur në njoftim.

    Përpos dialogut strategjik, Presidenca e Kosovës, njofton se në takim u  ritheksua aleanca e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma. Në këtë takim u ritheksua aleanca e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar rolin vendimtar të Uashingtonit në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu njoftimi thekson se të dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të forcuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në takim u diskutua edhe për përkushtimin e Kosovës për reforma në sundimin e ligjit, avancimin e qeverisjes së mirë dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik.

    “Presidentja Osmani dhe Sekretari Verma diskutuan gjithashtu kontributin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë pritjen e qytetarëve afganë, mbështetjen për Ukrainën dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale”, thuhet në njoftim.

    Pas takimit me presidenten Osmani, Verma u takua edhe me kryeministrin Kurti, takim ky për të cilin ende nuk janë dhënë detaje. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!