×
  • Lajme
  • Lajme

    Dimal Basha thotë se bizneset i kanë dyfishuar fitimet pas ardhjes së Kurtit në pushtet

    Reporteri
    16 Mars 2024 | 20:20
    Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha

    Mbyllja e lokalit Bon Vivant ka nxitur reagimin edhe të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha. Ai tha se prej se ka ardhur VV-ja në pushtet të ardhurat e bizneseve janë dyfishuar.

    Sipas tij, para se të vinte Albin Kurti në pushtet bizneset kanë paguar deri në 90 milionë euro në fitim, teksa pas ardhjes së VV-së në pushtet ata kanë paguar 185 milionë euro.

    “Çka po thonë që kemi hy në krizë ekonomike se qenka mbyll ni kafiq në Prishtinë? Po thonë që ka mbaru jeta e natës në Prishtinë! Nejse, ju e dini ma mirë, po thash t’ju kallzoj pak për jetën e ditës të bizneseve! Në Qeverinë e Albin Kurtit, bizneset kanë pagu 185 mil € tatim në FITIM, që i bie se bizneset kanë pas fitim 1.85 miliard euro meqenëse paguajne 10% të fitimit! Para Kurtit, maksimumi që kanë pagu ka qenë 90 milion euro. Pra, sot bizneset fitojnë dyfishin sa kanë fitu para se me ardh ne në pushtet! Pra jeta e ditës për biznese është TOP, e për jetë t’natës ngushëllime, se kam ditë që krejt Prishtina keni nejt qaty 🙂”, ka thënë Basha.

    Gjatë ditës reaguan edhe nga opozita, duke e cilësuar si alarmante situatën me ekonomitë e vogla në Kosovë.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se situata me ekonomitë e vogla në Kosovë është alarmante. Ai thotë se qindra biznese të vogla, përfshirë dyqane, biznese, kafiteri e restorante janë duke u mbyllur për shkak të mungesës së konsumit.

    Sipas Tahirit, në tremujorin e parë të vitit 2024, fuqia blerëse në Kosovë ka rënë nga 15 deri në 50 % dhe mbyllja e bizneseve do të ndikojë në rritjen e papunësisë dhe varfërisë.

    Deputeti i AAK-së thotë se në një shoqëri normale, ekonomia është shtylla kryesore e funksionimit të shoqërisë, dhe thotë se Qeveria Kurti po e bankroton Kosovën me retorikë luftë dhe konfliktin e hapur me ndërkombëtaret.

    Tahiri: Kosova po përjeton një tronditje ekonomike, bizneset e vogla po mbyllen e fuqia blerëse ka rënë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!