Autor: Mirlind Behluli
Më shumë se një muaj më parë, Presidentja Vjosa Osmani me anë të dekreteve, pas rekomandimit të MPJD-së, shkarkoi 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë. Shkarkimet i lanë përfaqësitë diplomatike të vendit pa udhëheqës të misioneve. Ndonëse kanë kaluar gati 1 muaj e gjysmë, MPJD ende nuk ka nisur procedurat për zëvendësimin e të shkarkuarve me ambasadorë të rinj.
19 maji ishte dita e shkarkimeve në rrjetin diplomatik të Kosovës.
E para e vendit lëshoi një sërë dekretesh me anë të të cilave u përfundonte mandati 12 ambasadorëve të emëruar me çelës politik duke e lënë vendin pa shefa të misioneve.
Profesori universitar, Bekim Baliqi, e sheh si të nevojshme zëvendësimin e ambasadorëve të shkarkuar duke emëruar njerëz kredibil në kryeqendrat ku Kosova ka ambasada.
“Sigurisht që është mëse e nevojshme që sa më parë të kompletohen përfaqësitë tona dhe kjo të ndodhë në mënyrë që emërimi të bëhet të personave sa më kompetent e kredibil në ambasadat e mbetura vakant”, thotë Baliqi për Gazetën Online “Reporteri.net”.
Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike përfaqësimi me ambasadorë të liruar nga detyra ndikon në imazhin ndërkombëtar të vendit.
“Në kuptimin simbolik, dhe në atë se si paraqitet Kosova diplomatikisht tek këto shtete në veçanti dhe në arenën ndërkombëtare në përgjithësi, mosemërimi ende i ambasadorëve shpërfaq joseriozitet të shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, e që rrjedhimisht përcillet me një pozitë të dobësuar të Kosovës në këtë fushë”, tha Arbër Fetahu nga GSJP për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
Tutje Fetahu konsideron se në emërimin e ambasadorëve të rinj duhet të bëhet mbi bazën e parimit të profesionalizmit.
“Nëse vazhdon kjo amulli besoj që ndikimet negative do të vërehen edhe më shumë, andaj është imperative reagimi në kohë për emërimin e ambasadorëve të rinj, gjithmonë duke u ndjekur parimi I profesionalizmit në përzgjedhjen e tyre. Ndryshe, çdo përsëritje e modeleve të kaluara të përzgjedhjes në shërbimin e jashtëm garanton një vendnumërim për Kosovën, madje edhe ecje mbrapa marrë parasysh premtimet transformative të kësaj Qeverie”, shtoi Fetahu.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka dërguar pyetje në adresë të MPJD-së në lidhje me çështjen e emërimeve të ambasadorëve të rinj dhe nëse kanë filluar procedurat e emërimit të tyre. Por, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, përgjigja e kabinetit të Ministres Donika Gërvalla ka munguar.
Por Reporteri.net merr vesh nga burimet brenda MPJD se ende nuk kanë filluar procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj.
Kujtojmë që muajin e kaluar janë shkarkuar nga detyra e ambasadorit Beqë Cufaj (Gjermani), Arbër Vllahiu (Shqipëri), Nait Hasani (Shqipëri), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Hajdin Abazi (Australi), Gjergj Dedaj (Maqedoni e Veriut), Ylber Hysa (Mal i Zi) dhe Amir Ahmeti (Katar).
Washingtoni, Londra, Parisi, Brukseli, Berlini, Tirana, Shkupi, Tokio, Haga, Budapesti, Kanbera, Doha, Zagrebi, Praga, Bangoku, Lubljana e Podgorica janë kryeqendrat e vendeve ku Kosova ka mbetur pa shefa të misioneve diplomatike.