×
  • Lajme
  • Lajme

    Disa fshatra në Mitrovicë nisin peticion kundër Hidrocentralit që po ua shkatërron jetën

    Reporteri
    08 Korrik 2019 | 19:52

    Me peticion, banorët e Selacit të Mitrovicës po e kundërshtojnë këtë hidrocentral në fshatin e tyre.


    Ata janë bërë bashkë me banorë të fshatrave përreth, për të mos e lejuar ndërtimin edhe të një hidrocentrali tjetër në Bistricë dhe kanë mbledhur deri tash mbi 600 nënshkrime.

    Banorët ankohen, sepse vendimi për ndërtimin e hidrocentraleve u mor pa dëgjim publik.

    Sipas tyre, hidrocentralet, përveçqë po shkaktojnë dëme ekologjike, po i lënë edhe pa ujë, që e shfrytëzojnë për pije dhe ujitje.

    Komuna, gjatë ditës, nuk ka dhënë detaje, por javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka miratuar rekomandime të cilat i janë drejtuar Ministrisë së Mjedisit, raporton KTV.

    Ministrisë i është kërkuar hartimi i raporteve mbi dëmet e shkaktuara në mjedis, pëlqimi mjedisor nga kompania Hidro-Line për veprimtarinë e hidrocentralit dhe pezullimi i çdo aktiviteti deri në publikimin e raporteve.

    Por Ministria e Mjedisit nuk i është përgjigjur as pas dy javësh interesimit të KTV-së për veprimtarinë e këtij hidrocentrali. Shumë hidrocentrale po kundërshtohen nga banorët në shumë pjesë të Kosovës. Herën e fundit banorë serbë e shqiptarë u bënë bashkë për të kundërshtuar hidrocentralet në Shtërpcë.

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës, gjithashtu, i ka kërkuar MMPH-së që të sjellë për inspektim në terren një ekip profesional, për t’i nxjerrë pikat e shtratit të lumit të regjistruara në kadastër dhe ta bëjë krahasimin me gjendjen aktuale para dhe pas punimeve dhe ndërtimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!