“Dita e 1 majit ishte dita kur e humba krahun e djathtë të rinisë sime”, Haradinaj kujton dëshmorin Agim Selmanaj

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj ka kujtuar dëshmorët e Dukagjinit, duke thënë se ata janë dëshmi e rrugëtimit tonë të përgjakshëm për të ardhur deri te liria.


Haradinaj përmes një postimi në Facebook, kujtoi vuajtjet dhe jetën e vështirët të dëshmorëve, e sidomos të Agim Ali Selmanaj.

Ai thotë se Agimi ishte vetëm dy vjeçar kur Serbia ia arrestoi babanë dhe gjithë familjes, ndërsa në vitin 1997, Agimi ishte i gatshëm për luftë.

“Agimi me shumë sukses po udhëhiqte beteja, po riorganizonte njësitet policore të Brigadës 131, dhe po ashtu po bënte të pamundurën për t’ju ndihmuar të plagosurve të shumtë qe ishin në atë kohë.

Humbjet e shumta të bashkëluftëtarëve, Agimi do i kthente në forcë dhe kundërgoditje ndaj forcave serbe. Me dhjetra aksione kundër ushtrisë serbe e kanë emrin e tij, duke arritur deri në atë shkallë sa që Agimi, Burimi, Florimi dhe shokë të tjerë, po e tmerronin armikun në brendësi të tyre”, thuhet në postimin e tij.

Lexoni postimin e plotë:

Në kohë dhe rrethana të veshtira u lind dhe u rrit Agim Ali Selmanaj. Agimi ishte vetëm dyvjeçar kur Serbia ia arrestoi babain dhe të gjithë familjen; Nazmiun, Rasimin, Besimin dhe Fariun, sikurse i arrestoi me dhjetëra burra të fshatit, në krye me Bacën Smajl.

Vuajtjet dhe jeta e vështirë vetëm sa e përgatiste moralisht dhe kombëtarisht Agimin.

Viti 1997 e gjeti të gatshem sikurse edhe shumë djem të tjerë të asaj ane.

Kur filloi lufta frontale, Agimi ishte ndër të parët që po dëshmonte aftësi të papara luftarake. I shoqëruar nga Luan Nimanaj, Agimi pothuajse ishte në çdo betejë. Plagët e shumta që e godisnin, vetëm sa e forconin! Fillimi i vitit 1999 ishte vit i vështirë për ne, dhe natyrshëm që barra më e madhe binte mbi djemtë e fortë.

Agimi me shumë sukses po udhëhiqte beteja, po riorganizonte njësitet policore të Brigadës 131, dhe po ashtu po bënte të pamundurën për t’ju ndihmuar të plagosurve të shumtë qe ishin në atë kohë.

Humbjet e shumta të bashkëluftëtarëve, Agimi do i kthente në forcë dhe kundërgoditje ndaj forcave serbe. Me dhjetra aksione kundër ushtrisë serbe e kanë emrin e tij, duke arritur deri në atë shkallë sa që Agimi, Burimi, Florimi dhe shokë të tjerë, po e tmerronin armikun në brendësi të tyre!

Vrasja e Shkelzenit, Hasimit, Luanit dhe Fatmirit ishte njëra nga goditjet më të rënda për shumë luftëtarë, dhe po ashtu edhe për Agimin, i cili s’do rrinte duarkryq! Për plot 15 ditë, njësiti i tij elitar kishte hyrë në brendësi të forcave armike, duke i shkaktuar dëme të panumërta në njerëz dhe teknikë lufte.

Erdhi deri në atë shkallë sa që forcat serbe po dezertonin në masë nga tmerri që u shkaktonin luftëtarët e Brigadës 131 Jusuf Gërvalla.

Dita e 1 majit ishte edhe dita kur e humba krahun e djathtë të rinisë sime dhe luftës që po e bënim. Për plot 15 vite bashkë, në shkollë, në demostrata, në aksione, e në luftë, pa u ndarë asnjë moment!

Edhe sot i kam të freskëta momentet e lamtumires për Agimin e papërsëritshëm te luftës.

Në ato rrethana aspak të lehta, i mblodha luftëtarët para trupit të tij, në kodër të Maznikut, për ta përcjellur luftëtarin e rrallë, Agim Selmanajn.

Bashkë me Besim Selmanajn, xhaxhain i tij që udhëhiqte formacionet e brigadës, vazhduam edhe atë copë rruge të mbetur, deri kur Serbia kapitulloi.

Sot Agimi dhe shokët e tij prehen të qetë në Kompleksin e Dëshmorëve të Dukagjinit, si dëshmi e rrugëtimit tonë të përgjakshëm për të ardhur deri te liria!