Bjeshkët e Rekës së Keqe afër kufirit Kosovë-Shqipëri, në fshatrat Babaj i Bokës, Popoc dhe Ponoshecë po vazhdojnë të digjen edhe në ditën e pestë.
Situata po bëhet gjithnjë e më alarmante, saqë nëse nuk intervenohet nga ajri, nga nesër rrezikohen edhe banorët që jetojnë në fshatrat në fjalë, pasi zjarrfikësit e komunës së Gjakovës po e kanë të pamundur ta shuajnë zjarrin shkaku i erës dhe terrenit të papërshtatshëm, por dhe numrit të vogël të zjarrfikësve dhe mungesës së mjeteve.
Luan Dinaj, drejtor i Drejtorisë së Emergjencave në Komunën e Gjakovës tha Reporteri.net se ekipet mobilizuese të zjarrfikëseve gjenden në teren nga momenti kur janë lajmëruar se ka nisur djegia e maleve në këtë fshatra.
“Nëse nuk intervenohet edhe nesër zjarri i aforhet shtëpive, eshte 10 km në vijë zjarri . Sot jemi mobilizuar komplet skuadra e zjarrfikësve në Gjakovë, të cilat janë shpërndarë në tri grupe. Territori ku janë duke u djegur malet quhet Bokë dhe Qerret e që janë fshatrat Babaj i Bokës, Popoc, dhe Ponoshecë, aty ku ka vatra të zjarrit. Dje na ka ardhë Juniku në ndihmë me 2 zjarrfikës, Rahoveci me 2 zjarrfikës dhe Prizreni me katër zjarrfikës. Nëse nuk hynë FSK-ja, pra ushtria situata mund të përkeqësohet. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja me helikopter”, thotë Dinaj për Reporteri.net.
Ai thotë është thuajse e pamundur që zjarrin ta shuajnë këmbësoria për shkak të terenit të papërshtatshëm, por edhe mungesës së mjeteve.
“Nuk ka qasje as me kampion as këmbësoria, kanë shkuar zjarrfikësit me lopata, qe tre ditë jemi në mobilizim Njësia e Gjakovës. Andaj për të dalë nga kjo situate, vetëm ajri mund të parandalojë diçka”, ka pohuar ai.
Dinaj më tej ka thënë se KFOR-i ju ka thënë se janë të gatshëm të ndërhyjnë në momentin që rrezikohet jeta e banorëve.
“KFOR na ka thënë se intervenon veç nëse rrezikohet popullata, por realisht rreziku është shumë afër”, tha ai.
Ndërsa Dinaj tregon se janë në kontakte edhe me përfaqësues të Shqipërisë, pasi zjarri ka kapluar edhe një pjesë të territorit të saj.
“Sot e kemi mbet me u koordinu me zyrtarë të Shqipërisë që bashkërisht ta vëmë nën kontroll gjendjen”, ka thënë ai.
Ai thotë se dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme.
“Dyshimet e mija janë se shkaktar i këtij zjarri është faktori njeri, edhe pse rojet e pyllit më kanë thënë që nga vetëtima, por vetëtima gjuan vetëm kur të ketë shi e jo edhe në mot me diell. Por përderisa nuk kemi fakte nuk mundemi t’a akuzojmë askënd|”, ka deklaruar Dinaj. /Reporteri.net/.