×
  • Lajme
  • Lajme / Votimet në veri

    DnV: Mbyllen qendrat e votimit, mungesë e theksuar e qytetarëve në votim

    Reporteri
    21 Prill 2024 | 19:29

    Demokracia në Veprim informon se ka vëzhguar procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të  katër komunave veriore të vendit në të gjitha qendrat e votimit që nga hapja e tyre në orën 07:00 të mëngjesit.

    Sipas vëzhgueseve, të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë, pra në orën 19:00  ndërsa nuk është raportuar për asnjë rast ku qytetarët kanë qenë duke pritur në radhë për të votuar.

    DnV thekson se “procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të  interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës”.

    “ DnV vlerëson se kjo ishte një mundësi e humbur për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj të komunave të cilët do të gëzonin legjitimitet përfaqësues. Hedhja e votës është instrumenti i parë demokratik përmes së cilës qytetari krijon lidhshmëri dhe pjesëmarrje në politikat lokale e më pas edhe ka mundësi të kërkojë llogari nga të zgjedhurit”.

    Sipas Demokracisë në Veprim kushtet teknike nëpër disa Qendra të Votimit, përkatësisht vendvotime nuk kanë plotësuar standardet e procesit të votimit.

    “Vlen të përmendet përzgjedhja joadekuate e objekteve të cilat kanë luajtur rolin e Qendrave të Votimit, pasuar nga grumbullimi i disa vendvotimeve në një hapësirë të vetme, vendosja e vedvotimeve në katet e larta të ndërtesave komunale, improvizimi i zyrave ose dhomave të ngushta si vendvotime si dhe  mungesa e ngrohjes apo ndriçimit në vendvotimet e organizuara në kontejnerë. Megjithatë, procesi i sotëm ka rrjedhë në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!