×
  • Lajme
  • Lajme / Votat e mërgatës

    “Do të kishte pasoja të mëdha”, “Ndërkombëtarët të ndërhyjnë” – reagime të shumta pasi VV’ja kërkoi përsëritjen e votimit me postë

    Reporteri
    08 Mars 2025 | 20:00

    Anulimin e votave me postë dhe përsëritjen e votimit jashtë vendit e ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një ankese në PZAP.

    Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa që të anulojë rezultatet e votimit me postë dhe që të urdhërojë Komisionin Qendror Zgjedhore që të përsërisë votimin.

    Në ankesën e dërguar në PZAP, Vetëvendosje po pretendon që në fletëvotimet e ardhura me postë ka pasur manipulime dhe se është cenuar e drejta e votës.

    “Prandaj duke e dituar që në secilin fletëvotim të ardhur me postë ka pasur manipulime të tilla, është dëmtuar integriteti zgjedhor, është cenuar e drejta e votimit siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligj, prandaj në bazë të nenit 120 të LZP-së, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, ndërlidhur me nenet 101 dhe 106 të LZP-së, kërkojmë nga PZAP që të ANULOJË rezultatet e votimit me postë dhe njëkohësisht ta URDHËROJË KQZ-në që të përsërisë votimin”, thuhet në ankesën e VV-së.

    Reagime të njëpasnjëshme pati nga zyrtarë të LDK-së. Ata kanë thënë se ky është sulmi i radhës që VV po tenton t’ia bëjë demokracisë. Madje, Doarsa Kica-Xhelili që pritet të jetë deputete në legjislaturën e radhës të Kuvendit, ka thënë se LDK-ja nuk do ta lejojë një manipulim të tillë me vota, dhe nëse VV dëshiron betejë – do ta ketë atë.

    “Këta duan t’i marrin 51 mandate përmes manipulimit – si gjithçka tjetër! KJO është strategjia. Kjo është logjika. Kjo është forma e të menduarit kriminal. Ky është sulmi i radhës që VV ia bën demokracisë. TIPIKE! Nuk do t’i lëmë! Nëse duan betejë, betejë do të kenë! “, ka shkruar ajo.

    Visar Azemi në anën tjetër ka shkruar se partia që drejton Kurti po dëshiron të manipulojë procesin zgjedhor, meqë duan t’i marrin 51 deputetë me dhunë.

    Ai i ka bërë thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë dhe për ta mbrojtur procesin zgjedhor.

    “Po duan manipulim të procesit zgjedhor! Po duan marrjen e 51 mandateve me dhunë dhe manipulim! Lëvizja Vetëvendosje po tenton të ndikojë dhe të manipulojë procesin zgjedhor duke kërkuar nga KQZ të anulojë votat me postë dhe të organizojë zgjedhje të reja vetëm për diasporën. Po e fshehin manipulimin e tyre me vota ne ambasada e konsulata. Paramendoni, jane gati 2000 vota qe jane printuar me defekt të njejtë dhe për çudi të gjitha këto janë vota për Levizjen Vetevendosje! Ky eshte manipulimi! Ky eshte keqperdorimi! Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve. LDK nuk e pranon! LDK nuk e toleron!”

    “Nuk do ta ndalni rritjen e LDK-së as në Kosovë e as në diasporë. Ftojmë komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe votën e qytetarëve të vendit dhe të sigurojë që zgjedhjet në Kosovë të jenë të lira, të drejta dhe demokratike. Demokracia nuk mund të jetë peng i një partie të vetme!”, ka shkruar Azemi.

    Kurse, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK është pengesë për VV-në, prandaj kjo e fundit është ankuar.

    “Partia në pushtet paska nisë ankesa për procesin zgjedhor, me qëllim të vazhgitjes së certifikimit.
    Arësyeja është e thjeshtë: S’po ka numra, ashtu siq donte. E, pra mendësia absolutiste e ‘500K zemrave’ nuk ja doli, e tash turren me kontestu procesin e zgjedhjeve”.

    “Është e dukshme që rritja e LDK-së është pengesa kryesore për ta. E po, rritja e LDK-së është vet puna e pandalshme e shumë aktivistëve e bashkatdhetarëve tanë që s’u ndalën asnjëherë “, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

    Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se një vendim për anulimin e votimit do të kishte pasoja të mëdha. Sipas tij, hetimi i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte zgjidhje më e drejtë sesa përsëritja e gjithë procesit.

    “Edhe pse dyshimet mbi manipulimet e mundshme të votave duhen trajtuar e hetuar kujdesshëm, anulimi i plotë i votës së diasporës do të kishte pasoja të mëdha. Një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por mbi të gjitha do të ndëshkonte edhe ata qytetarë që kanë votuar në mënyrë të rregullt. Në vend të një qasje “all-in” që rrezikon të cenojë besimin në procesin zgjedhor, një hetim i thelluar dhe i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte një zgjidhje më e drejtë dhe më e qëndrueshme”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

    Ndërkaq, nalisti Shënoll Muharremi ka deklaruar se, VV-ja me këtë kërkesë po rrezikon me humbë një mandat.

    “LVV, me kërkesën për përsëritje të votimit me postë, po rrezikon me humbë edhe një mandat. Aktualisht, pa vota me postë, LVV ka 47 mandate e PDK 25. Mandatet e LDK-së nuk ndryshojnë, 20. Mirë është të gjitha dyshimet për keqpërdorime eventuale me u adresu dhe hetu. Por një përsëritje e votimit duket e palogjikshme.

    Gjithashtu efekti eventual i përsëritjes do të mund të nënkuptonte një mandat më shumë për PDK dhe një më pak për LVV. Fundja PDK është partia e vetme që nuk përfitoj nga kjo mënyrë e votave. Mesiguri ata do e bëjnë maskimumin me rikuperu këtë ‘defekt’ në sistem në rast se kjo përsëritet.

    LVV në fund, munden me mbetë mesiguri edhe me më pak 51.75% të votave me postë që kanë fituar nëse përsëritet votimi. Por qëllimi dhe strategjia e LVV-së duket të jetë me e zvarritë sa më gjatë procesin deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

    Nga votat e ardhura me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.57 % të votave. Ajo pasohet nga LDK me 30.55 %, e treta është PDK me 9.48 % dhe e katërta është AAK me 3.23 %.

    Ky rezultat nuk e kënaqi Vetëvendosjen, e cila pati pritshmëri që të ketë rezultat të ngjashëm si në në votat në përfaqësitë diplomatike ku mori 80.71%./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!