Ish-anëtari i Kryesisë së LDK-së, Valon Murtezaj, njëherit ish-ministër i Jashtëm në kohën e Qeverisë së Isa Mustafës, ka ironizuar me LDK-në, e cila të hënën do ta organizojë Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, shkruan Reporteri.net.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kur t`i dëgjojë Rugova fjalët e disa prej organizatorëve dhe paneliseteve të kësaj konference do të qesh nga parajsa.
“Kur t’i dëgjojë Ibrahim Rugova fjalët e disa prej organizatorëve dhe panelistëve të konferencës, të cilët njohur në bashkëpunim nuk i ka; si një njeri me edukatë të lartë që është, dhe si njeri me durim të pakufishëm, do të qesh në mënyrën e Tij, dhe pasi t’i kujtohet biseda me Rolan Bartin për betejën e shenjave që janë në kontrast; nga parajsa, më duket mua, do të thotë: Ju lutem, Ju lutem”, ka shkruar Murtezaj në Facebook.
Valon Murtezaj, njihet si kritik i kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi kishte ngritur zërin edhe për mospërfshirjen e tij në përbërjen e re të Kryesisë së LDK-së, duke thënë se nuk ishte aksidentale por e shënjestruar.
Sipas tij, kjo sjellje nuk i takon shpirtit dhe frymës së LDK-së dhe se “shpirti Rugovian nuk e duron këtë”.
“Mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale, ishte e shenjëstruar. Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shpirti Rugovian nuk e duron këtë” ka deklaruar Murtezaj.“Liria dhe Demokracia, respekti për mendimin e lirë (pa pasur pasoja), respektimi i rregulloreve, statutit dhe ligjeve, vlerësimi i profesionalizmit dhe etikës në punë, janë vlera më të rëndësishme në një organizatë bashkëkohore të kohës sonë”, kishte shkruar ai më 11 dhjetor të vitit 2023, shkruan Reporteri.net.
Valon Murtezaj ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së më 19 nëntor të vitit 2023.
LDK të hënën nga ora 11:00 e mban konferencën
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Fondacioni Ibrahim Rugova, ka njoftuar se të hënën më datë 10 qershor, nga ora 11:00 do të mbajë konferencën ndërkombëtare ‘’Rugova dhe Perëndimi’’, në shënim të 25 vjetorit të lirisë së Kosovës.
Në njoftim thuhet se konferenca mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, sikurse dhe në nderim të aleatëve që patën rol thelbësor në orët tona më të rënda.
“Konfirmimi i orientimit euroatlantik të Kosovës, si besim vleror i popullit të Kosovës, trashëgimi politike e Ibrahim Rugovës, mbetet qëllimi kryesor i Konferencës”, thuhet tutje në njoftim.
Në panel do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, Vincenzo Pagli, President i Akademisë Papnore për Jetën dhe Jeffrey M. Hovenier, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Në panelin e dytë do të jenë gazetarë e shkrimtarë. Blendi Fevziu, Adriatik Kelmendi, Eugen Saraçini dhe Alush Gashi.
Folësit do të trajtojnë përafrimin e Kosovës me vlerat perëndimore, trashëgiminë e Presidentit Rugova dhe narrativën e Kosovës në kryqëzimin historik vleror dhe medial.
/Reporteri.net/.