×
  • Lajme
  • Lajme

    “Do t’i bëjë lëmsh komunat”, Hoti akuzon Qeverinë për Ligjin e tatimit në pronë

    Reporteri
    18 Prill 2023 | 9:28

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë se me ndryshimet në Ligjin e tatimit në pronë “do t’i bëjë lëmsh komunat”.

    Të martën në Komisionin për Buxhet do të shqyrtohet në parim Projektligji që mori mbështetjen e Qeverisë në fund të marsit. Mbledhja e Komisionit do të nisë në orën 14:00. Sipas Hotit, ndryshimet e ligjit do të kenë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave.

    “Sot shqyrtohet në Komisionin për Buxhet projektligji për ndryshimin/plotësimin e Ligjit të Tatimit në Pronë. Ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat. Ligji që është në fuqi është punuar gjatë me ekspertë suedez të mbështetur nga qeveria suedeze dhe i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për administrim të tatimit në pronë. Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ai e ka cilësuar këtë qasje të Qeverisë si “tepër të keqe”. Ka akuzuar Qeverinë për mungesë serioziteti dhe profesionalizmi.

    “Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë”, ka vazhduar Hoti. “Këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës”, ka shkruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!