Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan dje rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës, përcjell Reporteri.net.
Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.
Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.
Ky vendim i KQZ-së është mirëpritur nga ndërkombëtarët, por jo edhe vendasit.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka mirëpritur vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që të votohet pro apo kundër largimit të katër kryetarëve të komunave në veri.
“Unë e mirëpres vendimin e KQZ-së për caktimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave, gjë që do t’i hapë rrugën depërshkallëzimit të mëtejshëm. Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të respektojnë procedurat demokratike për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në veri”, ka shkruar Von Cramon në rrjetin social X, shkruan Reporteri.net.
Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka vlerësuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.
Ambasadori Szunyog përmes një postimi në platformës X ka shkruar se është thelbësore që KQZ të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm.
“Tashmë është thelbësore që KQZ të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm”, ka shkruar ai në platformën X.
Szunyog në platformën ‘X’ ka thënë se “BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje gjatë gjithë këtij procesi”.
Por vendimi i KQZ-së nuk është mirëpritur mirë nga partitë opozitare.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se KQZ-ja nga një institucion i pavarur kushtetues u shndërrua “në një agjenci të Presidencës, MAPL-së dhe vegël e pushtetit”.
Sipas tij, data e votimit do duhej të caktohej nga Presidentja e vendit, e “assesi nga KQZ-ja”.
“Vendimi i sotëm (djeshëm) është në Kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjit për Zgjedhjet Lokale, Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe mandatin Kushtetues të KQZ”, ka shkruar Elshani.
Kujtojmë se në komunën e Leposaviqit, lista e nënshkruesve përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, ndërsa pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.
Në komunën e Zubin Potokut, lista nënshkruese e peticionit përmban 1 mijë e 567 nënshkrime, ku pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve rezulton se 1 mijë e 380 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.
20 për qindëshin e kërkuar në peticion e ka përmbushur edhe komuna e Zveçanit, ku peticionin e kanë nënshkruar 1 mijë e 834 njerëz.
Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, janë mbledhur 3 mijë e 148 nënshkrime në listën e peticionit, ku pas krahasimit me listën votuese ka rezultuar se 3 mijë e 563 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut. /Reporteri.net/.