×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Dogana e Kosovës parandalon hyrjen e 16,500 kilogramëve çokollatë nga Zvicra me afat të skaduar

    Reporteri
    28 Nëntor 2024 | 8:10

    Dogana e Kosovës ka parandaluar hyrjen e një sasie të konsiderueshme të mallrave ushqimore të skaduara në Zyrën Doganore të Mitrovicës.

    Dërgesa përmbante çokollata të importuara nga Zvicra, me një peshë neto prej 16,500 kg, të cilat u zbuluan me afat të skaduar gjatë procesit të kontrollit të rregullt doganor.

    Menjëherë pas identifikimit të problemit, Dogana njoftoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për inspektimin e mëtutjeshëm të produktit, si dhe prokurorin e rastit për trajtimin e mëtejshëm ligjor të situatës.

    Parandalimi i hyrjes së produkteve të rrezikshme në treg është prioritet i vazhdueshëm për Doganën e Kosovës, e cila punon ngushtë me institucionet përkatëse për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e mallrave që importohen në vend.

    “Ky rast shërben si kujtesë për të gjithë importuesit që të respektojnë rregulloret dhe standardet e sigurisë ushqimore, ndërsa qytetarët ftohen të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo dyshim për produkte të skaduara ose të rrezikshme në treg”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!