×
  • Lajme
  • Lajme

    Dokument sekret mbi shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë në BE, kërkohet ndryshimi i kufijve të Kosovës

    Reporteri
    14 Prill 2021 | 20:17

    Skena politike në Ballkan është tronditur nga një letër e Sllovenisë dërguar Bashkimi e Evropian, e cila i kërkonte Brukselit përfundimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Bosnjës Hercegovinë.


    Gjithçka filloi me artikullin e portalit të Sarajevës “Politicki.ba”, i cili njoftoi se gjatë presidencës, Sllovenia do të angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit të presidentëve Vuçic-Thaçi, i cili ishte në opsion vitin që shkoi derisa Donald Trump ishte presidenti i SHBA-së, por ai u kundërshtua fuqimisht nga Gjermania.

    Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, kryeministri slloven Janez Jansha i ka dorëzuar presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, një dokument mbi prioritetet e Presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë”.

    Me këtë letër, siç shkruan edhe mediat serbe “B92”, pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e KE-së për një nga prioritetet e Presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin Sllovenia do ta marrë nga 1 korriku i këtij viti.

    Zëdhënësi i Komisionit Evropian dhe i shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian Peter Stano, ka thënë se zyrtarët e bllokut evropian nuk janë në dijeni për ndonjë dokument të dërguar nga kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha, për të cilin kanë raportuar mediat në Ballkan, e që supozohet se flet për ndryshimin e kufijve.

    “Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë dokument të tillë dhe nuk mund të komentojmë spekulimet rreth çështjeve të ngritura në media”, ka thënë zyrtari i BE-së, duke shtuar se është në dijeni për këto shkrime në media por nuk kanë çfarë të thonë për këtë temë në mënyrë specifike, pasi nuk e ka parë një dokument të tillë. Sa i përket idesë për ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ky zyrtarë ka thënë se pozicioni i BE-së është i qartë dhe nuk ka çfarë të ndryshohet.

    “Mund të themi se, sa i përket kufijve pozicioni i BE-së është i qartë dhe në çështjen e kufijve nuk ka çfarë të ndryshohet. Ne duhet të punojmë drejt bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në rajon, pa hyrë në fushat e rrezikshme, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e BE-së”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.

    Idetë për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan kishin lindur në vitin 2018 kur flitej se presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçic po punojnë për një marrëveshje që mund të përfshinte edhe shkëmbimin e territoreve.

    Këto ide patën hasur në kundërshtime të forta të Gjermanisë dhe disa shteteve tjera të BE-së, ndonëse disa prej tyre kanë shprehur gatishmëri që të diskutohet edhe për ide të tilla.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!