Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot ka qenë nikoqire e edicionit të 7-të të Konferencës së Ambasadorëve. Kjo konferencë mblodhi përfaqësuesit e misioneve diplomatike të Kosovës nëpër botë.
Që të gjithë ata, si zakonisht shkrepën një fotografi të përbashkët. Por një ambasador u hoq nga fotografia, të cilën më pas e postoi kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla në rrjetin e saj social, Facebook.
Bëhet fjalë për ambasadorin e Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari. Në foton e siguruar nga gazeta online Reporteri.net, Miftari shihet saktësisht në fund të fotografisë. Por, ai nuk mund të gjindet në fotografinë e përbashkët që publikoi Ministrja Gërvalla.
Miftari para se të emërohej në postin e ambasadorit të Kosovës në Vatikan, në janar të vitit 2024, ishte këshilltar i Presidentes Osmani dhe rrjedhimisht njihet si njeri i afërt me presidenten.
Kohëve të fundit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk i ka fshehur pakënaqësitë me punën e Qeverisë, por edhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tash e drejton partinë Guxo, të cilën shefja e shtetit e kishte themeluar vetë dhe e kishte udhëhequr deri në prill të vitit 2021.
Madje është Gërvalla ajo e cila kishte thumbuar presidenten Osmani me vargjet “llafe, llafe” të një kënge, çka kishte bërë që presidentja të ja kthejë.
“Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, kishte thënë Osmani kur ishte pyetur për raportet e saj me Gërvallën./Reporteri.net/