Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës është zhvendosur tashmë para objektit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Protestues të shumtë kanë brohoritur para këtij institucioni “dorëheqje, dorëheqje” e “jashtë, jashtë”, shkruan Reporteri.net.
Në hyrje të këtij objekti është shkruar edhe një grafit “KEDS t’i kthehet popullit”.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim sot për shtrenjtimin e energjisë elektrike, mirëpo nuk ka treguar se sa i bie kjo në përqindje.
Kryesuesi i Bordit të ZRRË’së, Ymer Fejzullahu, ka deklaruar se pas mbledhjes do të dalin me një komunikatë ku do të shpalosin detajet e vendimit.
Kjo ka nxitur reagimin e gazetarëve, të cilët nuk u larguan nga salla ku u mbajë mbledhja, duke kërkuar përgjigje.
Në këtë mbledhje, ZRRE miratoi të Hyrat e Lejuara Maksimale për KOSTT në vlerë 88 milionë e 190 mijë euro, për KEDS 180 milionë e 652 mijë e 995 euro dhe për KESCO në vlerë 435 milionë e 926 mijë e 294 euro. Në total, të hyrat e miratuara janë 704 milionë e 796 mijë e 294 euro, apo rreth 62 milionë euro më pak se që ishin propozimet.
Krahasuar me vitin 2024, dallimi mes të hyrave është 105 milionë e 800 mijë e 294 euro. Përkthyer në përqindje, kjo i bie rreth 16 përqind.
Drejtori Menaxhues në ZRRE, Petrit Pepaj, tha se kanë pranuar 396 komente nga qytetarët.
“Qytetarët në përgjithësi kanë shprehur kundërshtimet…për shkak të vështirësive ekonomike, inflacionit dhe të ardhurave që kanë”, ka deklaruar Pepaj.
Një protestë tashmë ka nisur për ta kundërshtuar këtë vendim.
Në pankaratat e protestueve shkruhet “Kur s’të del për bukë, nuk të duhet as drita!”, “Rrroga s’na del për të jetuar, ju na e rrisni rrymën”, “Asnjë cent më shumë”, etj.
Propozimi për shtrenjtimin e rrymës është kundërshtuar nga Presidenca.
Qeveria në detyrë i ka bërë thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat.
ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues./Reporteri.net