×
  • Lajme
  • Lajme / Vendimi i Kushtetueses

    Dorëzimi i Kurtit për tokat e Manastirit të Deçanit

    Autor:Linda Ibrahimaj
    13 Mars 2024 | 13:03

    Dikur e kishte cilësuar si “vendim të regjimit të Millosheviqit”, por dy vite pas kësaj deklarate, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar po të njëjtin vendim për tokat e Manastirit të Deçanit.

    Në shkurt të vitit 2022, Kurti e kishte thënë se “vendimet e tilla nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”.

    “Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë. Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”, kishte thënë Kurti në një invervistë për RTK-në, pikërisht në përvjetorin e pavarësisë të vitit 2022.

    Kreu i ekzekutivit ditën e sotme në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit.

    I pari i Qeverisë madje tha se krahas kësaj, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka kërkuar notë verbale lidhur me këtë çështje në Këshillin e Evropës.

    “Sot i kemi thënë Agjensionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja Donika Gërvalla i ka kërkuar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, kah mesi i prillit Asambledhja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit, Këshilli i ministrave në Këshillin e Evropës që vendos për anëtarësimin tonë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

    Gazeta Online Reporteri.net, javën që shkoi, raportoi me burime se Qeveria e Kosovës po punon në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016 që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të 24 hektarëve tokë dhe pyje përreth. Sikurse që ekzekutivi ka nisur komunikim me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Tokat e Manastirit të Deçanit “kompromisi” i Kosovës për anëtarësimin në KiE

    Vendimi për Manastirin e Deçanit u përshëndet sot edhe nga I dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, Escobar tha se ky ishte një vendim i vështirë për Kosovën, por hap i domosdoshëm.

    “Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar./Reporteri.net/

    Escobar: Vendimi i sotshëm i Qeverisë për Manastirin e Deçanit i vështirë, por hap i domosdoshëm

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!