Në shtatorin e vitit 2023, Besart Istrefi, një pronar restoranti në fshatin Milloshevë të Obiliqit, zotohej se do t’i sillte në Kosovë rreth 100 punonjës nga shtetet e botës së tretë si Bangladeshi e Nepali.
Në një bisedë me një gazetare të televizionit T7 asokohe, Istrefi thoshte se veçse e kishte nënshkruar një kontratë për transferimin e 100 punonjësve nga Bangladeshi e Nepali.
Zotohej se kontrata do të hynte në fuqi nga muaji nëntor i vitit 2023.
Në këtë raportim televiziv ai prezantohej si pronar i restorantit që kishte gjetur zgjidhje për mungesën e punëtorëve në vend duke i zëvendësuar ata me punonjës nga vendet e largta aziatike.
“E kena hap një zyre punësimi për me pru punëtorë prej vendeve si Bangladeshi, Nepali për të zëvendësuar hapësirën e punëtorëve që e kemi. Në nëntor e kemi një kontratë prej 100 punëtorëve”, deklarohej ai në storjen televizive të publikuar më 3 shtator, 2023.
Punëtorët nuk dihen nëse erdhën ndonjëherë atë muaj. As në muajt në vijim.
Por, në nëntorin e 2023-s emri i pronarit të restorantit që zotohej se do të sillte punëtorët e huaj, doli në skenë si i përfshirë në një nga grabitjet më të mëdha ndonjëherë të Kosovës.
Besart Istrefi dyshohet se mori pjesë në grabitjen e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës më 23 nëntor të vitit 2023.
Skena ishte e tmerrshme. Katër grabitës hynë të armatosur në lokalin e argjendarisë “Diakos 2” në qendër të Suharekës. Njëri prej tyre, i pajisur me armë të gjatë, bënte roje para derës së lokalit derisa tre të tjerët mbushnin çantat me stoli ari brenda.
Gjatë grabitjes, katër të dyshuarit hapën zjarr ndaj një njësie policore të Stacionit Policor të Suharekës. Një polic u plagos në këmbë nga zjarri i shkëmbyer mes palëve.
Pas përplasjes me patrullën policore, grabitësit arritën të arratiseshin bashkë me mbi 3 kilogram stoli ari me vete. Stolitë që konsiderohet se vlenin mbi 200 mijë euro i dërguan në Prishtinë.
Pranuesi i stolive ishte Trim Baraku, pronari i një argjendarie në kryeqytet. Baraku akuzohet bashkë me katër grabitësit e dyshuar Korab Gashin, Bujar Bashën, Leutrim Cakollin dhe Besart Istrefin për rastin e grabitjes.
Baraku akuzohet për armëmbajtje paleje në këtë rast, derisa ndaj tij po vazhdon një proces i ndarë gjyqësor për blerje të sendeve të fituara nga kryerja e veprës penale.
Në aktakuzën e ngritur ndaj katër grabitësve të dyshuar dhe Barakut, pronari i argjendarisë ka rrëfyer se njihej prej vitesh me Besart Istrefin. Ka thënë se me pronarin e restorantit në Milloshevë takohej pothuajse për çdo ditë.
Baraku tha se para se me Istrefin ishte takuar edhe në ditën e grabitjes.
“[Baraku] ka deklaruar se sa i përket Besartit, me të është takuar shumë shpesh pothuajse në baza ditore, me Leutrim Cakollin nuk është takuar, me Dukagjin e Korab Gashin nuk është takuar. I kujtohet se me Korab Gashin nuk është takuar ka mundësi 1 javë deri në 10 ditë para grabitjes, ndërkaq edhe me Bujar Bashën nuk është takuar”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Prishtinës, e cila e ka parafrazuar dëshminë e të Barakut.
Baraku tha se me Besart Istrefin ka një shoqëri 5-6 vjeçare, “të cilin e ka njohur përmes restorantit familjar që ky i fundit e menaxhon në Milloshevë.
“Nga shtatori i vitit të kaluar, ata janë afruar më shumë dhe kishin synim të hapnin një biznes së bashku në Prishtinë, pranë lokalit të Barakut, të quajtur ‘Pasta Box’”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Besart Istrefi, nuk del të jetë vetëm një i dyshuar për grabitje dhe një afarist me plane për zgjidhjen e problemit të fuqisë punëtore, siç prezantohej në storjen televizive të vitit 2023 .
Istrefi është një person i njohur për organet e rendit. Ai është një i gjykuar për një vrasje të rëndë që kishte ndodhur në restorantin e familjes së tij në Milloshevë.
Ai, bashkë me babain e tij, Besim Istrefin, ishin gjykuar për fillimisht për “vrasje të rëndë” e pastaj për “vrasje” pas rikualifikimit të veprës penale nga Prokuroria. Të dy akuzoheshin për incidentin me armë ku kishin mbetur të vdekur Lutfi Saraqi dhe Nazim Gërvalla.
Gjykimi kishte nisur në vitin 2015 dhe kishte zgjatur gjashtë vite. Deri më 2021.
Fillimisht, një gjykatë e shkallës së parë i kishte gjetur fajtorë babë e birë, Besim e Besart Istrefin, për vrasje dhe armëmbajtje paleje. Aktgjykimi i parë i Themelores, i shpallur më 2018, u kishte shqiptuar dënim me shtatë vjet burgim Besim Istrefit dhe me pesë vjet burgim Besart Istrefit.
Apeli e kishte rikthyer çështjen në rigjykim në vitin 2019.
Që nga kthimi në rigjykim në këtë rast ishte ndryshuar dy herë përbërja e trupit gjykues. Seancat kishin dështuar vazhdimisht për arsye të ndryshme, raportonte Betimi Për Drejtësi në vitin 2021.
Në rigjykim, Besim e Besart Istrefi ishin shpallur të pafajshëm për vrasje. Aktgjykimi kishte marrë formë të prerë më 9 mars të vitit 2021, pasi gjykata kishte konstatuar se ata këtë vepër e kanë kryer në mbrojtje të nevojshme.
Sipas aktakuzës, në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, më 2 maj 2014, pas një mosmarrëveshjeje të çastit ishin vrarë Nazim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë pronari Besim Istrefi dhe djali i tij, Besart Istrefi.
Në aktakuzë thuhet se e gjithë ngjarja kishte filluar kur kamerierët kishin filluar përgatitjen për mbylljen e lokalit, në të cilin i pandehuri Jeton Saraçi, kishte qenë në tavolinë së bashku me Adem Dautaj dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla.
Për këtë gjë, sipas aktakuzës, Saraçi kishte reaguar dhe kishte filluar fjalosjen mes tij me Besart Istrefin, ku më pas kishin nxjerrë revolet dhe ia kishin drejtuar njëri-tjetrit. Pas telefonatës nga i biri, kishte ardhur ne restorant edhe Besim Istrefi, i cili ua kishte drejtuar revolen, ku më pas e kishte shtënë nëntë herë në drejtim të tani të ndjerëve Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla.
Në ato çaste, siç thuhet në aktakuzë, kishte filluar një shkëmbim i të shtënave me armë nga të dyja palët, ku si pasojë e këtij shkëmbimi, plagë vdekjeprurëse kishin marrë tani i ndjeri Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla, ndërsa Besim dhe Besart Istrefi ishin lënduar rendë.