Doza e tretë anti-COVID, kaos në qendrën e vaksinimit në Prishtinë

Në javën e parë të vitit 2022, Enis Restelica nga Prishtina vendosi që të imunizohet edhe me dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.

Ky 46-vjeçar shkoi për të marrë këtë vaksinë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Emshir” në Prishtinë të mërkurën (5 janar), rreth orës 11:00.

Restelica tha për Radion Evropa e Lirë se ishte i zhgënjyer me organizimin për procesin e imunizimit të qytetarëve në këtë qendër.

Deri më datën 20 dhjetor të vitit 2021, vaksinimi për COVID-19 në Prishtinë bëhej në sallën “1 Tetori”, e cila është e dedikuar për aktivitete kulturore e sportive.

“Qe afër 40 minuta jam këtu. Qendra atje ka qenë më mirë, këtu ka parregullsi. Është pandemi, kur ka grumbuj njerëzish, përhapja [e koronavirusit] është më e rrezikshme”, tha ai.

Enis Restelica, që punon në termocentral, tregoi se e gjithë familja e tij janë të interesuar të imunizohen sa më shpejt me dozën e tretë apo përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.

“Edhe familja ime do të vijë, por meqë është ky organizim, më duhet t’i informoj edhe ata që të mos vijnë njëherë”, tha Restelica.

Për të marrë dozën e tretë të vaksinës, para QMF-së po priste edhe Arsim Gashi, psikiatër nga Prishtina.

Ai tha se për vonesë, arsyetimi zyrtar ishte problemi me sistemin e regjistrimit të personave që vaksinohen.

“Pati shumë njerëz aty, [na thanë] ka rënë sistemi apo nuk e di se çfarë. Ka gjysmë ore që kam ardhur”, tha Gashi.

Halili: Problemet e përkohshme me sistem shkaktuan tollovi

Tollovinë dhe kohën e pritjes për qytetarët në orët e paradites në këtë qendër vaksinimi i konsideron normale, Rrezart Halili, zëvendësdrejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Halili tha për Radion Evropa e Lirë se rreth orës 11:00 kanë pasur një problem teknik që e ka ngadalësuar pak procesin e administrimit të vaksinave.

“Në mëngjes e kemi pasur një problem të vogël teknik për shkak të sistemit pasi është futur një lot i ri i vaksinës, i cili tashmë është rregulluar. Është çështje teknike, e teknologjisë informative të cilat presim të na ndodhin edhe në të ardhmen”, tha ai.

Sipas Halilit, Qendra e Mjekësisë Familjare ku tani po bëhet vaksinimi, është hapësirë e përshtatshme për këtë shërbim ,ndërsa tha se shpreson që do të hapin edhe qendra të tjera vaksinimi.

Megjithatë, sipas tij, ka dukshëm një fluks të madh të qytetarëve, pasi është rritur interesimi për imunizim nga ana e qytetarëve.

“Fluksi ka filluar të shtohet për vaksinim nga të gjithë qytetarët. Sidomos pas përhapjes së variantit Omicron ka interesim mjaft të madh për marrjen e dozës së tretë”, tha ai.

Në anën tjetër, Vlora Restelica, një qytetare e Prishtinës që po e shoqëronte bashkëshortin e saj për vaksinim, tha se nuk po arrijnë të kuptojnë pse ka vonesa.

“Shumë grumbull, një herë thanë që ka rënë sistemi. Shumë parregullsi dhe grumbull njerëzish kishte. I kam lënë fëmijët në shtëpi sepse doza e parë më pati munduar dhe erdha me bashkëshortin”, tha ajo.

Edhe në qytetet e tjera të Kosovës, imunizimi kundër bëhet po ashtu në Qendra të Mjekësisë Familjare.

Ministria e Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se plani i vaksinimit në masë ka paraparë që pas 15 dhjetorit 2021, të bëhet tranzicioni i procesit të vaksinimit nga qendrat si “1 Tetori” apo të ngjashme, në kuadër të QKMF-ve.

Sipas MSH-së, komunat kanë vendosur vetë se në cilat lokacione do të bëhet procesi i vaksinimit.

“Kjo nuk do të thotë se komunat do të vaksinojnë vetëm në një qendër, ato mund të hapin edhe pika të tjera të vaksinimit, sa do që kanë mundësi t’i kenë funksionale. Në këtë aspekt, MSH-ja do t’i mbështesë që ato të mund ta kryejnë punën pa probleme”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Në Komunën e Prishtinës momentalisht është i vendosur një ekip mobil për vaksinim edhe në Qendrën Tregtare në Albi Mall.

Rëndësia e vaksinimit pas përhapjes së variantit Omicron

Më 26 dhjetor, në Kosovë u detektuan nëntë rastet e para me variantin e ri të koronavirusit të quajtur Omicron.

Që nga ajo kohë ka pasur edhe rritje të numrit të rasteve ditore me COVID-19. Më 5 janar janë regjistruar 107 raste të reja me koronavirus, ndërkaq të hënën, më 3 janar, infektimet ditore ishin 38.

Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, në Kosovë deri më 5 janar janë administruar 13,879 doza përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 dhe 2,099 doza të treta.

Në ndërkohë, me dy doza të vaksinës, deri më tani në Kosovë janë imunizuar 785,291 qytetarë apo 43 për qind.

Vaksinat kundër koronavirusit nuk ofrojnë aq shumë mbrojtje ndaj Omicronit, siç ofrojnë ndaj varianteve paraprake të koronavirusit.

Megjithatë, rezultatet laboratorike tregojnë se të paktën dy doza të vaksinës mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar infektimin, por një dozë përforcuese e kompanisë Pfizer apo Moderna, prodhon antitrupa që e luftojnë virusin, mjaftueshëm sa për t’iu kundërvënë Omicronit.

Në Kosovë, më 9 dhjetor ka filluar administrimi i dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit.

Doza përforcuese u jepet qytetarëve tre muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Kurse doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç.