Drejtori i përgjithshëm i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta, ka bërë të ditur se deri tani nuk kanë pranuar asnjë ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës për t’i mbuluar nevojat e të karantinuarve.
Afro 500 persona që po qëndrojnë të izoluar tash e dy javë, Qendra e Studentëve po i furnizon me ushqim dhe me nevoja higjenike.
Për të gjitha këto shërbime, Sfishta ka thënë se gjithçka është duke u bërë me kapacitetet e Qendrës së Studentëve.
“Sa i përket furnizimeve më deri më tani nuk kemi pranuar asnjë ndihmë as financiare as diçka tjetër nga Qeveria, përpos ndihmave mjekësore kuptohet, ne jemi duke menaxhuar me rezerva tona me kontratat që keni pas si me artikuj ushqimore si me inventarë në konvikte, shtroja, mbuloja, të gjitha ato që ju nevojiten të karantinuarve. Deri më tani vetëm një donacion sot kemi pranuar nga një kompani vendore me dyshek dhe jastek, përndryshe deri tani nuk kemi pranuar dhe nuk kemi shtesë financiare buxhetore nga Qeveria e Kosovës, mendoj se pasi të kryhet e gjithë kjo duhet t’i shohim nevojat tona se për çfarë kemi nevojë”, ka thënë ai.
Mirëpo, drejtori shtoi se këto kapacitete tanimë janë në limitet e fundit.
Sfishta tha se sot në konvikte janë karantinuar edhe 40 persona të ardhur nga Krocia.
“Për momentin jemi në limitet e fundit të kapaciteteve që i kemi për këta të karantinuar sepse jo çdo shtrat mund të vendosen, sipas rekomandimeve të IKSHPK-së mos të ketë mos shumë se një person në një dhomë dhe të shfrytëzojë secili nga një banjo, ose një familje, kështuqë automatikisht numri është reduktuar në masën më të madhe. Me ditën e sotme përmbyllen të gjitha kapacitetet që i kemi paraparë për të karatinuarit, në bazë të rregullave mjekësore. Mirëpo shpresojmë se nga java e ardhshme e numrit të caktuar të personave që kanë kaluar 14 ditë të largohen dhe të përgatitim edhe ato vende të liruara për të ardhurit tjerë eventual.
460 persona janë të karantinuar, tashmë ka ardhur edhe një kontigjent nga Kroacia rreth 40 personave dhe ky është kapaciteti që ne kemi tani”, tha Sfishta.
Ndryshe, Mensa e Studentëve është në funksion ku shtrohen tri racione në ditë për të krantinuarit e aty ushqehen edhe Policia e Kosovës.