×
  • Lajme
  • Lajme

    Drejtori i Stacionit të Autobusëve tregon në detaje çfarë po ndodhë me linjat që vijnë drejt Prishtinës

    Reporteri
    18 Maj 2020 | 18:22

    Bazuar në vendimet e institucioneve shtetërore sot ka filluar faza e dytë e lehtësimit të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Kësisoj me nisjen e kësaj faze parashihej që sot të startonin punën edhe autobusët ndërurban.


    Pavarësisht kësaj, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë sot nuk erdhi as edhe një autobus nga qytetet e tjera, që hyjnë në kuadër të linjave ndërurbane.

    Në një prononcim për Indeksonline, Drejtori i Stacionit të Autobusëve, Luan Hoti deklaroi se asnjë autobus nuk edhi në ndërmarrjen e tyre ani pse sot nis faza e re. Madje Hoti tregoi se kjo situatë pandemike e ka shndërruar ndërmarrjen në një situatë shumë të vështirë financiare që do të jetë problematike për t’i mbuluar pagat e punëtorëve. “Sot nuk kemi qarkullim të autobusëve ndërurban, të cilëve ne i kryejmë apo u japim shërbime”, tha Hoti.

    Ai gjithashtu deklaroi se janë në kontakt të vazhdueshëm me Shoqatën e Autotransportuesve të cilët sipas tij kanë paqartësi sa i përket vendimit të Qeverisë së Kosovës, lidhur me linjat ndërurbane.

    “Leja e veçantë bazuar mbi Ligjin e Transportit Publik, Neni 25 është mjaftë i qartë, pra ka të bëjë vetëm me ato linja apo shërbime të autotransportuesve në bazë të kontratave për bartjen e udhëtarëve prej një pike në pikën tjetër . Prandaj nuk ka të bëjë me linjat e rregullta ndërurbane. Ndoshta kjo ka krijuar një konfuzitet tek qytetarët, sepse që nga mëngjesi dhe dy ditët e kaluara kemi shumë telefonata, ku pyesin se kur fillon qarkullimi i autobusëve.

    Mirëpo ne nuk kemi asnjë autobus për momentin dhe nuk është duke ardhur asnjë autobus”, tha tutje Luan Hoti.

    Ditë më parë u paralajmërua për një mundësi të rritjes së çmimit të biletave për qytetarët që udhëtojnë me autobusë ndërurban, e lidhur me këtë Drejtori i Stacionit të Autobusëve, Luan Hoti tha se nuk ka ende asgjë zyrtare për këtë.

    “Çështjen e çmimeve e cakton tregu dhe janë vetë ata autotransportues që i caktojnë çmimet e biletave, ndërsa sa i përket ndërmarrjes sonë mund të themi që nuk ka rritje të çmimeve dhe ato do të jenë të njëjta siç ishin edhe më herët dhe do të veprojmë sipas çmimeve që kemi në fuqi”, theksoi ai.

    Në një situatë të zakonshme, jashtë pandemisë COVID-19 brenda ditës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë janë rreth 400 linja të rregullta, duke përfshirë këtu ato ndërurbane dhe ndërkombëtare.

    “Ndërkombëtare janë rreth 15% nga totali, po 400 autobusë vijojnë gjatë një dite në stacion”, tha ai. Por gjatë kësaj kohe pandemike, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë janë bërë edhe disa renovime, të cilat sipas drejtorit Hoti ishin të nevojshme dhe u realizuan gjatë kësaj kohe.

    “Që nga data 13 mars kur është sjellë vendimi i parë, në realitet ndërmarrja nuk ka qenë funksionale-operacionale me shërbime, por e kemi shfrytëzuar këtë kohë që t’i bëjmë disa remetime të ndryshme për ndërtesën ku punojmë, gjithashtu kemi bërë edhe dezinfektimin dhe sot jemi në përfundimin e punëve sa i përket lyerjes së objektit të brendshëm, që të jetë edhe një masë tjetër dezinfetkuese me qëllim që qytetarët të ndjejnë veten sa më sigurtë në hapësirat e ndërmarrjes sonë”, deklaroi Hoti.

    Drejtori i Stacionit të Autobusëve bëri të ditur se nuk kanë të hyrë tjetër përpos peronizimit, si një nga shërbimet kryesore nga ku krijohen të hyrat e ndërmarrjes dhe se situata pandemike e ka vendosur këtë ndërmarrje në një situatë shumë të rëndë financiare.

    “Gjatë muajit mars i kemi dhënë pagat e plota për të gjithë punëtorët, edhe pse një pjesë e madhe e tyre nuk kanë punuar. Kjo është bërë nga akumulimi i mjeteve dhe kapitalit që kemi pas vitin e kaluar, një vit të suksesshëm. Gjatë muajit prill jemi përfitues të pakos ekonomike nga Komuna e Prishtinës”, tha Hoti.

    Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë tha se ka breng se si do t’i kryejnë obligimet për punëtorët dhe t’i kryejnë shërbimet e tjera të cilat i kanë në kuadër të ndërmarrjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!