×
  • Lajme
  • Lajme / Mbrojtja e votës

    Drejtues të institucioneve koordinohen për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Reporteri
    29 Janar 2025 | 14:16

    Institucionet shtetërore janë vënë në lëvizje për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 9 shkurt.

    Lidhur me zgjedhjet, sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u mbajt takimi në mes të drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme për të diskutuar për përgatitjet, bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Në këtë takim, përveç kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, morën pjesë Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Artan Abazi dhe Koordinatorja nga ky institucion, Fatime Dërmaku dhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zenel Leku.

    Në njoftim thuhet se kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi vlerësoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor në krijimin e kushteve që procesi zgjedhor të zhvillohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

    Drejtues dhe përfaqësuesit e institucioneve treguan për planet e tyre lidhur me angazhimin në ditën e zgjedhjeve në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e procesit zgjedhor.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

    Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!