Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka marrë disa vendime për parandalimin e virusit COVID-19, ndër to edhe vendimin për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në ora 16:00 pasdite.
Në vendim, thuhet se, nga ora 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes, gjithashtu nuk mund të dilet.
Mirëpo, nga ora 10:00 kur vendimi ka hyrë në fuqi e deri më tani kur kanë kaluar gati dy orë, dhe në shumë qytete të Kosovë vazhdon të ketë tollovi, shkruan Reporteri.net.
E kjo për faktin se qytetarë të shumtë janë tubuar në masë të madhe në pikat e postës. Tubimet në fjalë po bëhen për të marrë ndihmat sociale, që sot do të jepen për dy muaj.
Këto tubime po konsiderohen si shumë të rrezikshme për faktin se qytetarët nuk po mbajnë distancën e duhur sociale, përkundër rekomandimeve të vazhdueshme të Institutit të Shëndetësisë, që në dy javët e ardhshme, qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe larg tubimeve.
Mirëpo, një shembull të mirë në këtë drejtim po e japin qytetarët e Drenicës, të cilët në pritje të marrjes së socialit po e mbajnë distancën prej 1 metër nga njëri tjetri.
Megjithatë, siç mund ta shihni edhe në foto, aty janë edhe Policia e Kosovës të cilët mund të kenë asistuar në këtë drejtim. /Reporteri.net