Pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri ne detyrë Albin Kurti më 6 prill, dolën në pah shqetësime për ndërhyrje të shtetit serb në çështjet e brendshme të Kosovës.
Kryeministri dhe institucionet e sigurisë deklaruan se Serbia, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq po tenton të ndikojë jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por edhe në procesin e formimit të institucioneve të reja të vendit.
Në deklaratën zyrtare të Qeverisë së Kosovës u theksua se Serbia po ushtron shantazhe, joshje dhe kërcënime ndaj deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, për të sabotuar formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë dhe për të nxitur tensione ndëretnike.
“Pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Republikën e Kosovës, për çfarë kemi informuar në konferencë për media bashkë me ministrin Nenad Rashiq me datë 9 mars 2025, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radojçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës, më 24 shtator 2023, ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe, kurse tani është kryetar “de facto” i këtij subjekti politik”, thuhej në komunikatën për media të Qeverisë.
Akuzat më të rënda u hodhën ndaj deputetes Duda Balje, e cila ishte përmendur nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje si e “ndikuar” nga Radoiçiqi.
Madje analist të pushtetit në studio televizive lëshuan deklarata se Duda Balje ishte takuar ose zhvilluar bisedë telefonike me kryeterroristin Radoiçiq në fund të muajit shkurt.
Por, këto deklarata i kishte mohuar vetë Balje.
Ajo madje kishte paralajmëruar edhe padi.
“E kam kontaktuar avokatin dhe i kam hyrë procedurave ligjore për krejt deklaratat. Unë jam në Kuvendin e Kosovës me votën e boshnjakëve, s’mund të jem kundër tyre. Kryeministri ka dalë e ka thonë se disa deputetë janë të shantazhuar prej Serbisë, dhe unë po them hajde provoje, këtë do ta vërtetojë në seanca plenare, a jam apo jo…Unë s’di cilët janë ata deputetë…. “, kishte deklaruar mes tjerash Balje.