Profesoresha Shqipe Kryeziu dhe profesori Azbi Gashi i janë bashkuar sot AAK-së në Rahovec, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kështu ka njoftuar kryetari i kësaj dege në Rahovec, njëherësh kryetar i komunës, Smajl Latifi, i cili ka bërë të ditur se Kryeziu dhe Gashi deri tani kanë qenë aktivistë të VV-së, si themelues të degës në Rahovec.
Latifi, përmes një postimi në Facebook, ka treguar rreth përvojës së Kryeziut dhe Gashit, teksa ka shtuar se Kryeziu do të jetë edhe pjesë e grupit të asambleistëve të AAK-së në Kuvendin komunal të Rahovecit.
“Përvojat politike dhe profesionale të Kryeziut dhe Gashit do ta kenë hapësirën e merituar për t’i kontribuuar përmirësimit të mirëqenies në komunën tonë. AAK është parti e hapur për të gjithë që duan të punojnë mirë dhe mbarë. Interesi kolektiv prevalon mbi interesat individuale, prandaj ne po rritemi dhe gjithnjë e më shumë njerëz po i bashkohen konceptit tonë. Dy anëtarëve të rinj, u dëshiroj shumë suksese dhe ua ofroj tërë përkrahjen time gjatë angazhimeve që do t’i kenë në të ardhmen”, ka shkruar Latifi në Facebook. /Reporteri.net/