×
  • Lajme
  • Lajme

    Dy deputetë të AAK-së patën kontakt së fundi me infermierin gjakovar të prekur nga Coronavirusi

    Reporteri
    21 Mars 2020 | 12:31

    Vizitës ‘problematike’ të së hënën, e dy deputetëve të AAK-së Teuta Haxhiu dhe Pal Lekaj në spitalin rajonal të Gjakovës, iu ka shtuar edhe një telash i ri. Kjo pasi, dy deputetët që u kritikuan për këtë vizitë, gjatë kohës sa qëndruan në spital patën kontakt fizik me infermierin gjakovar që mbrëmë rezultoi të jetë i infektuar me Coronavirus.


    Një infermier i spitalit Rajonal të Gjakovës, siç ka raportuar mbrëmë Gazeta Online “Reporteri.net”, ka rezultuar të jetë infektuar me Coronavirus.

    43 vjeçari nga Gjakova, që rezultoi të jetë kosovari i 24 i prekur me pandeminë COVID-19, përveç me rrethin e tij familjar e shoqërorë, si dhe pacientë, para pak ditësh kishte pasur kontakt fizik edhe me dy deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    Fjala është për Teuta Haxhiun dhe Pal Lekajn, të dy nga Gjakova, shkruan Reporteri.net.

    Infermieri gjakovar, deputetët e AAK-së i ka shoqëruar gjatë një vizitë që këta të fundit zhvilluan të hënën mbrëma në spitalin rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”.

    Megjithatë, në fotografitë e publikuara nga deputetët, mund të shihet se ata gjatë vizitës në spital ishin pajisur me masat mbrojtëse – të paktën sa për të pozuar.

    Pal Lekaj, në një reagim në facebook, ka thënë se nuk ka pasur kontakt direkt me të infektuarin dhe sipas tij takimi në distancë dhe me masa mbrojtëse nuk është i rrezikshëm.

    “Takimi në distancë dhe me masa mbrojtëse nuk është i rrezikshëm. Së pari jam profesionist shëndetësor prandaj e di si të mbrohem vet dhe si t’i mbroj të tjerët. Jam duke i kryer të gjitha përgjegjësitë që më takojnë. Andaj paniku është shumë më i rrezikshëm se sa vet virusi. Respekt për punëtorët shëndetësor”, ka shkruar deputeti i AAK-së në facebook.

    E kjo vizitë e deputetëve të AAK-së, në spitalin e Gjakovës, nuk kishte kaluar pa një incident.

    Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës, Hilmi Shala, mbrëmjen e së hënës i kishte përzënë nga hapësirat e spitalit deputetët Pal Lekajn dhe Teuta Haxhiun. Kjo sipas tij, pasi ata po e shfrytëzojnë kohën e shfaqjes së pandemisë Coronavirus, për të bërë fushatë.

    “Kam apeluar të mos vijnë kot, e të na harxhojnë maska dhe mantilla. Kanë hyrë vetëm pak pasi është bërë dizenfektimi i hapësirave të spitalit, kanë ardhë dhe i kanë kontaminuar këto ambiente. Janë sjellë shumë vrazhdë me mua si drejtor, as nuk kanë pyetur se si është situata, vetëm kanë ardhur. Nuk kanë pasur nevojë të hyjnë brenda, kanë mundur të qëndrojnë edhe jashtë. Iu kam dhënë ultimatum që ta lëshojnë spitalin menjëherë për 2 minuta. Po e shfrytëzojnë këtë kohë për të bërë fushatë”, kishte deklaruar Shala, një ditë pas ngjarjes.

    Ndryshe, në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 24 raste, në total, me COVID-19. Rasti i parë u identifikua para një jave në Stubull të Vitisë.

    Gjakovari i konfirmuar sonte me Coronavirus është rasti i parë në Kosovë ku një punëtor shëndetësorë preket nga pandemia që ka shqetësuar të gjithë globin në muajt e fundit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!