Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar një deklaratë lidhur me luftën çlirimtare të Kosovës dhe zhvillimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në deklaratë, Universiteti i Prishtinës thekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe objektive, si dhe të mbështetet në prova.
Universiteti shprehet gjithashtu se drejtësia e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime kolektive, ndërsa vlerëson se historia e luftës së Kosovës duhet të trajtohet duke marrë parasysh rrethanat politike, shoqërore dhe humanitare në të cilat ajo është zhvilluar.
“Në të njëjtën kohë, universiteti vlerëson se historia e luftës së Kosovës nuk mund të shkëputet nga konteksti politik, shoqëror dhe humanitar, në të cilin ajo u zhvillua. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive, si dhe të së drejtës për të jetuar i lirë nga represioni dhe dhuna”, thuhet në deklaratë.
Në dokument përmendet edhe konteksti i dhunës gjatë luftës në Kosovë, përfshirë dëbimet masive të popullsisë shqiptare dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare.
“Kjo luftë u zhvillua në një kontekst të dhunës sistematike, dëbimeve masive dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shoqëruara me shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare. Këto zhvillime përbëjnë pjesë të dokumentuara të historisë së Kosovës dhe të kontekstit, në të cilin duhet të kuptohet lufta e saj për liri”, thuhet më tej.
Senati i UP-së ka theksuar se trajtimi i kësaj periudhe duhet të marrë parasysh edhe rrethanat historike dhe humanitare, ndërsa në deklaratë i referohet edhe ndërhyrjes së NATO-s.
“Mbështetja dhe ndërhyrja e NATO-s duhet të kuptohen në kontekstin e krizës humanitare, të dhunës së përhapur, të dëbimeve të popullsisë dhe të nevojës për mbrojtjen e saj”, thuhet në deklaratën e Universitetit të Prishtinës.