Partia “GUXO”, dega në Ferizaj ka njoftuar se pas mbledhjes së mbajtur ditën e djeshme ka vendosur të pushojë aktivitetin e saj politik në të gjitha strukturat e saj nacionale, dhe të tërhiqet plotësisht nga gara për zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Guxo” në Ferizaj ka folur edhe për shkaqet që çuan deri te ky vendim, e që akuzat kanë qenë në drejtim të dy bashkëkryetarëve, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Faton Pecit.
Sipas tyre, Gërvalla dhe Peci kanë ndjekur “interesat puro personale dhe kanë anashkaluar interesat e partisë”.
“Ndjekja e interesave puro personale të dy Bashkëkryetarëve, znj. Donika Gërvalla dhe z. Faton Peci dhe anashkalimi i interesave të partisë, gjë e cila e ka dëmtuar dhe po e dëmton ekzistencën, qëndrueshmërinë dhe përfaqësimin e interesave të përbashkëta të anëtarësisë, duke cenuar dhe vazhdueshmërinë e saj”, thuhet në njoftimin e “GUXO” dega në Ferizaj.
Tutje ata kanë përmendur edhe disa arsye të tjera që i bënë të marrin këtë vendim, duke përmendur këtu edhe “shkeljet hierarkike partike” si dhe “mbylljen totale dhe mungesën e komunikimit me strukturat partiake”.
Postimi i bërë nga “GUXO” në Ferizaj, është shpërndarë edhe nga deputeti nga radhët e kësaj partie, Burim Meta.
/Reporteri.net/