×
  • Lajme
  • Lajme / Komuna ju del në ndihmë

    Dy të miturat që u therën në Ferizaj janë motra, Bulliqi jep detaje

    Reporteri
    13 Nëntor 2024 | 10:19
    Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi

    Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar sot në QKUK dy të miturat që u therën nga një burrë të hënën në Ferizaj. Ai ka bërë me dije se ato janë motra dhe se janë nga Podujeva.

    Bulliqi ka thënë se gjendja e 10-vjeçares e cila ndodhet në Intenzivë, ka filluar të stabilizohet.

    Tutje, ka thënë se do të nxjerr vendim për të ofruar ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve për familjen.

    “Për këtë rast sot do të nxjerr një vendim për të ofruar ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve për familjen. Iu dëshiroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve në këtë rast të rëndë! Uroj që rastet e tilla të mos përsëriten kurrë!”, ka shkruar ai.

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e therjeve me thikë gjatë së hënës në Ferizaj, ku fillimisht u arrestua një person që u identifikua me inicialet E.S.

    Ai u lirua dje, për arsye se në polici u vetëdorëzua i dyshuari kyç për rastin, që policia thotë se është 62 vjeçari me inicialet F.I. Sipas policisë, nga terreni janë siguruar videoinçizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se E.S., i cili edhe u arrestua, ishte i dyshuari i kësaj ngjarje, sepse sipas policisë, veshja, mbathja, flokët dhe mjekra përputheshin me të dyshuarin.

    Mirëpo, mëngjesin e sotëm policia njofton se personi me inicialet F. I i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, si i dyshuar rastin vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj.

    Me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë procedura tjera hetimore.

    Gjatë ditës së sotme edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë thënë për Gazeta Online Reporteri.net se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin F.I për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, dhe ndaj të njëjtit do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

    “Ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar i dyshuari me iniciale F.I, në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit do të parashktroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente për shkak të dyshimit të veprës penale të lartëcekur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Ferizaj për Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!