×
  • Lajme
  • Lajme / Në tregun e Krishtlindjeve

    Dy të vdekur e dhjetëra të lënduar, sulmuesi u arrestua – çka dihet deri tash për sulmin në Gjermani

    Reporteri
    21 Dhjetor 2024 | 8:01

    Të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 68 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së një makine në turmën e një tregu Krishtlindjesh në qytezën lindore gjermane, Magdeburg.

    Raportohet se 15 persona të plagosur janë në gjendje kritike.

    Agjencia e lajmeve dpa ka thënë se shoferi i makinës është arrestuar.

    Burimet brenda sigurisë i kanë thënë kësaj agjencie se burri i arrestuar nuk ka qenë në radarin e institucioneve për zbatim të ligjit, dhe as nuk është njohur si islamist.

    Sipas gjetjeve fillestare, burri dyshohet se është rreth moshës 50-vjeçare dhe është nga Arabia Saudite, dhe besohet se ka shkuar në Gjermani më 2006.

    Makina raportohet të ketë depërtuar 400 metra në brendësi të turmës.

    Zëdhënësi i qytezës Magdeburg, Michael Reif, që gjendet rreth 150 kilometra në jugperëndim të Berlinit, ka thënë se incidenti duket se ka qenë i qëllimshëm.

    “Vlerësimi fillestar është që ka pasur sulm në tregun e Krishtlindjes”, ka thënë Reif për median gjermane MDR.

    “Janë disa viktima. Brigada e zjarrit dhe policia janë në skenën dhe po trajtojnë të plagosurit”.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se raportimet sinjalizojnë se diçka e keqe ka ndodhur, dhe ka thënë se bashkëndjen me familjarët e viktimave.

    Ai pritet të vizitojë nesër skenën e incidentit.

    Dëshmitarët kanë thënë se makina është nisur qëllimshëm drejt turmës së njerëzve.

    Shumë forca policore dhe shërbime të emergjencës janë parë në skenën e incidentit.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se është “thellësisht i shokuar nga tmerri që ka ndodhur në tregun e Krishtlindjes”.

    “Franca ndan dhimbjen me popullin gjerman dhe shpreh solidaritetin e tij të plotë”, ka thënë ai.

    Tetë vjet më parë, më 19 dhjetor të vitit 2016, një pjesëtar i grupit terrorist, Shteti Islamik, pati kryer një sulm me kamion, duke e përplasur në një treg Krishtlindjesh në qendër të Berlinit.

    Si pasojë e sulmit patën vdekur 12 persona, ndërsa janë plagosur mbi 70 të tjerë.

    Sulmuesi pati ikur në Itali, ku ishte identifikuar dhe ishte vrarë nga policia. /REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!