Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se si pasojë e dyshimeve për helmim nga uji, 200 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Gjatë ditës së sotme, zëvendësministri Arsim Berisha ka qëndruar në Hanin e Elezit.
Ai tha se kjo komunë është ndihmuar me barëra dhe me materiale të tjera të nevojshme.
Berisha theksoi se ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit.
“MSh dhe SHSKUK kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente.Ekipet e IKSHPK-së ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit” tha Berisha.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Arsim Berisha, bashkë me këshilltarin politik të Ministrit Latifi, dr. Anton Shllaku qëndruan sot në Komunën e Hanit të Elezit për të trajtuar çështjen e dyshimeve për helmimin e qytetarëve nga uji i pijes në disa fshatra të kësaj komune.
Zëvendësministri Berisha u njoftua nga autoritetet lokale shëndetësore të Hanit të Elezit se nga fillimi i ankesave të qytetarëve deri në ora 12 të ditës së sotme, ekipet mjekësore kanë vizituar 195 pacientë, kurse pas orës 12:00, 5 pacientë.
MSh dhe SHSKUK kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente.
Ekipet e IKSHPK-së ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit.
Ministri Krasniqi viziton Hanin e Elezit pas dyshimeve për helmim të ujit
Me qëllim të përballimit të situatës dhe ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët me ankesa, QKMF e Hanit të Elezit është mbështetur nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor nga Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë.
Agjensioni i Menaxhimit të Emergjencave në kuadër të MPB-së, përmes cisternave, ka siguruar ujë të pijes për banorët e zonave ku qytetarët kanë pasur probleme shëndetësore, derisa IKSHPK të konfirmojë rezultatet e mostrave të marra për analizat e ujit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka vizituar gjithashtu komunën e hanit të Elezit duke ju ofruar mbështetje autoriteteve lokale për menaxhimin e situatës.
Situata është nën monitorim të vazhduar dhe MSH, së bashku me IKSHPK-në dhe dikasteret e tjera relevante si MPB-AME dhe MAPL janë në terren dhe në Komunikim të vazhduar me autoritetet komunale për menaxhimin e situatës.