Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë nisi hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.
“Sinqerisht, unë nuk e di edhe çka duhet me ba Martin Berishaj për me u shkarku nga detyra e Ambasadorit? Pa një zor të madh nuk ishin ngritë në këmbë i madh e i vogël brenda VV-së për me e mbrojtë.”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka shkruar edhe për inststimin e kryeministrit Albin Kurti, se marrdhëniet me SHBA-në janë të mira, pavarësisht se pavarësisht se emisari amerikan, Richard Grenell, tha se Kurti është politikan jo i besueshëm dhe siç tha ai po mashtron kosovarët kur pretendon se raportet Kosovë-SHBA janë të mira.
“E në anën tjetër, nga TV Istogu, Kryeministri i përkohshëm i Kosovës së përhershme paska thënë që Kosova kurrë më mirë punët me Amerikën nuk i ka pasë. Ky njeri ose jeton në një univers paralel, ose shtrembëron faktet qëllimshëm. S’po e di cila është më keq.Po një e di, Kosova mundet #MaMirë. Kosova meriton #MaMirë.”, ka shkruar Çitaku.
Prokuroria thotë se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penalr që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi.”
Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezei ka thënë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb është bërë sipas akteve nënligjore dhe se KQZ do të marrë vendim meritor.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, ka thënë Elezi.
Gazeta Infokus ka raportuar se në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.
Sipas raportimit, Berishaj ka deklaruar se ka tërhequr personalisht të gjitha zarfet me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku ai drejton misionin diplomatik.