Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një avokateje për shkak të dyshimeve për kryerje të veprës penale ushtrimi dhe një përmbaruesi privat për dyshimet për veprën penale veprës keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit me veprimet e tyre kanë realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror, si dhe të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 25,000 euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton se pas një pune të gjatë dhe të suksesshme hetimore ka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në veprimet e të pandehurës Sh.Sh, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, janë plotësuar elementet e veprës penale Ushtrimi i Ndikimit nga neni 424 par. 1 të KPRK-së.
Ndërkaq, gjithashtu ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri I.I., në cilësinë e përmbaruesit privat, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veten dhe tjetrin, në mënyrë të kundërligjshme ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare, me të cilat veprime ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 të KPRK-së.
“Të pandehurit me veprimet e tyre kanë realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror, si dhe të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm mate ial në vlerë prej 25,000 € (njëzet e pesë mijë Euro)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Më tutje, thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftimin veprave penale të korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare. /Reporteri.net/