Policia ka dhënë detaje për rastin e rëndë që ndodhi mbrëmë në Prishtinë, ku vëllai dyshohet se e vrau vëllain me thikë.
Policia ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, shkruan Reporteri.net.
“VRASJE E RËNDË- Rr. Tirana-Prishtinë, 27.10.2024-20:25. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me mjet të mprehtë-thikë kishte goditur disa herë viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe prokurori kujdestar dhe njësia e IML-së. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.”, njofton policia.
Ndërkaq, familja Myftari në Prishtinë ka dalë me njoftim ku ka bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Arbëri.
“Rrethanat që kanë dërguar në humbjen e parakohshme të jetës së Auronit, janë duke u hetuar nga policia. Prandaj, kërkojmë mirëkuptim që të mos spekulohet deri sa organet e rendit ta japin versionin e tyre për ngjarjen tragjike”, kanë thënë nga familja.
Kurse, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi ka bërë të ditur se i dyshuari është me të meta psikike. /Reporteri.net/.