×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    E arrestuara për dallaveret me patentë shofer është kryetarja e degës së AAK-së në Kaçanik

    Reporteri
    07 Nëntor 2024 | 15:45

    Krimet Ekonomike gjatë ditës së djeshme kanë arrestuar dy persona, pronarë të një autoshkolle në Kaçanik, nën dyshimin për ryshfet e falsifikim dokumentesh.

    Një nga të arrestuarat është kryetarja e degës së AAK-së në komunën e Kaçanikut, Hafize Sallahu, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Por, krahas pozitës së kryetares së degës së AAK-së në Kaçanik, Hafize Sallahu mban edhe pozitën e Drejtoreshës për Kulturë në këtë komunë.

    Sipas Policisë së Kosovës , Hafize Sallahu bashkë me të arrestuarin tjetër E.S. me qëllim të përfitimit pasuror, dyshohet se kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme nga kandidatët, në këmbim të marrjes së patentë shoferit për kategorinë “B” dhe atë “C”, pa iu nënshtruar testeve përkatëse, si dhe pa bërë kontrollat mjekësore.

    Në koordinim me Prokurorin përgjegjës të rastit, janë kontrolluar-bastisur dy zyrat, në lokacionet e sipër cekura, ku janë siguruar dhe sekuestruar disa dëshmi- prova materiale: dy telefonë mobil; regjistratorë-Libra- gjithsej pesë (5); fletore regjistrimi; fletore interne dhe gjepi–gjithsej shtatë (7); gjashtëdhjetë e katër (64) dosje origjinale të kandidatëve; dhe njëzet e një (21) Certifikata mjekësore-të shoferëve profesional-për punë“, u tha në komunikatën e Policisë.

    I dyshuari tjetër, E.S. është djali i Sallahut, raporton gazeta online Reporteri.

    Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Drejtoresha e AAK-së për Kulturë në Kaçanik, Hafize Sallahu bashkë me E.S. janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”.

    Për rastin ka reaguar edhe deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci përmes një postimi të bërë në Facebook.

    Drejtoresha e Kulturës në komunën e Kaçanikut, qenka arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim me patentë shoferët. S’e paskam ditë që komuna e Kaçanikut shet patent shofer, pra paskan shërbim shtesë“, ka shkruar Bajqinovci. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!