×
  • Lajme
  • Lajme

    E çoi për ta shëruar, nëna e kosovarit mes lotësh rrëfen si ia arrestuan djalin policia serbe

    Reporteri
    04 Janar 2020 | 19:22

    Nezir Mehmetaj, të premten në mëngjes, e mori rrugën për në Serbi.


    Bashkë me nënën e tij Nazlien, kishin shkuar për vizitë mjekësore në Nish.

    Mirëpo, kur po ktheheshin, atyre u doli një problem, që përfundoi me arrestimin e tij nga policia serbe, raporton KTV.

    Për tri orë me radhë, Nazlie Mehmetaj kishte pritur me familjarët e tjerë në pikën kufitare në Merdare, për një përgjigje se pse Nezir Mehmetaj ishte ndaluar.

    Ajo thotë se nuk e di arsyen pse djali i saj tash gjendet në mbajtje, por dyshon se kjo u bë për shkak se i atij i tij, Mustafë Mehmetaj, ishte i burgosur politik gjatë regjimit serb në Kosovë.

    Nezir Mehmetaj, që nga mbrëmja e së premtes, vetëm një herë është lajmëruar në shtëpi përmes një mesazhi, ku i kishte siguruar familjarët se është mirë.

    Ndërkaq, atij i është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh, për shkak të dyshimit për krime lufte kundër civilëve. Këtë ia ka thënë agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, zëdhënësi i Prokurorit për Krime Lufte në Beograd, Vasilije Seratliq.

    Mirëpo, nëna e Nezir Mehmetaj ka treguar se i biri i saj gjatë kohës së luftës kishte qenë në Zvicër.

    Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

    Ai, në një status në Facebook, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Mehmetajt.

    “Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do t’i marrë të gjitha masat e duhura për ta siguruar lirimin e Nezirit. Serbia nuk mund të pengojë më pafundësisht lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike”, shkroi Pacolli.

    Tutje, Pacolli ka thënë që arrestimi është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel, mes Kosovës e Serbisë.

    Nezir Mehmetaj, tash e 30 vjet jeton në Zvicër, ndërkaq gjatë gjithë kësaj kohe, asnjëherë nuk kishte udhëtuar për në Serbi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!