×
  • Lajme
  • Lajme / Suharekë

    E gjuajti me çekan një person në oborr të Gjykatës, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 15:30

    Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit H.K, nën dyshimin se i njëjti para dy ditësh ka gjuajtur me çekan ndaj një personi në oborrin e objektit të degës së Gjykatës në Suharekë, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi se “Me datë 18 qershor rreth orës 10:50 minuta, në oborrin e Gjykatës Themelore Prizren – Dega në Suharekë, me përdorimin e mjetit të rrezikshëm, personit tjetër i shkakton lëndim të rëndë trupor, i cili rezulton në dëmtimin e përkohshëm dhe serioz të shëndetit të personit tjetër, në atë mënyrë që për shkak të një konflikti të mëhershëm që e kishte pasur i pandehuri me të dëmtuarin B.B., me të vërejtur të dëmtuarin duke hyrë në oborrin e Gjykatës, fillon të fjaloset me të e më pas nga çanta e tij e nxjerrë një çekan dhe e gjuan në drejtim të tij, ku edhe e godet në pjesën e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast të njëjtit i shkakton lëndime të rënda trupore”

    Gjyqtari i procedurës paraprake gjen se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, dhe dyshimi i bazuar rrjedhë nga shkresat e lëndës, faktet dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë siç janë: deklarim I të pandehurit në Polici, deklarata e të dëmtuarit, dhe deklaratat e dëshmitarëve, vërtetimet mbi sekuestrimin e sendeve, raportet mjekësore, lista e dëshmive të sekuesturara, pamje nga video kamerat si dhe provat tjera.

    “Meqë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale të përshkruar si më lartë, ekziston edhe baza ligjore për caktimin e paraburgimit për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij po të lihet në liri, sepse pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes, andaj me lënien në liri do ekziston rreziku se do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe në këtë mënyrë ta pengoj zhvillimin normal të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

    Ata ishin të ftuar nga Gjykata në një rast tjetër penal./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!