Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e paraburgimit të miturit që dyshohet për tentim vrasje të bashkëmoshatarit të tij.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se ai dyshohet se e ka goditur tri herë me thikë në pjesën e gjoksit dhe krahut viktimën, shkruan Reporteri.net.
“…ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 27.04.2025, rreth orës 15:10, në një rrugë në Ferizaj, përkatësisht përballë shkollës se mesme të mjekësisë, i mituri me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që, pas një mosmarrëveshje të mëhershme, përmes rrjetit social “snapchat”, dhe me tu takuar në oborrin e shkollës së lartcekur, i mituri paraprakisht kishte siguruar një mjet të mprehtë-thikë, mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor apo dëmtimin e shëndetit, ku fillimisht e ofendon me fjalë banale të dëmtuarin, e më pas e godet tre herë radhazi me thikë në pjesën e gjoksit dhe krahut”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se si pasojë e këtyre goditjeve, i mituri pësoi lëndime të rënda trupore, e për ato lëndime posedon edhe raport mjekësor të datës 27 prill 2025, lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm, Qendra Emergjente në Ferizaj, e për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, i njëjti transferohet menjëherë në QKUK në Prishtinë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftim./Reporteri.net