Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi është intervistuar sot gjatë ditës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga zëdhënësja e kësaj prokurorie, Liridona Kozmaqi.
E njëjta ka bërë të ditur se Krasniqi është ftuar nga prokuroria dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për një çështje penale, të cilën prokuroria është duke e hetuar.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se N.K. është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, ka thënë Kozmaqi për Reporteri.net.
Intervistimi i Nagip Krasniqit ka zgjatur për më shumë se katër orë.
Siç raportoi Nacionale, Krasniqi është intervistuar për dallaveret me rrymë. Ish-kryeshefi i KEK-ut, Naim Krasniqi dyshohet për kryerjen e veprës penale që përfshin keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë periudhës nga 15 tetor 2021 deri më 19 prill 2023.
Ai akuzohet se i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Krasniqi ishte liruar nga posti i tij si shef i KEK-ut më 24 prill të këtij viti, pasi ishte arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar.
Pas arrestimit, në muajin shtator të vitit të kaluar, ai u lirua nga paraburgimi, por me kushtin që të mos t’i afrohej objektit të KEK-ut për një distancë prej 50 metrash.
Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.
/Reporteri.net/