E mbijetuara e masakrës së Krushës rrëfen tmerrin që përjetoi: Burri ia dha një copë bukë çikës para se ta vrisnin

Miradie Ramadani, duke folur për masakrën në Krushë të Rahovecit, rrëfen se si u vranë meshkujt e atij fshati dhe si u detyruan të tjerët të braktisin vatrat e tyre e të shkojnë në Shqipëri.
Miradie Ramadanit nga fshati Krushë e Komunës së Rahovecit, forcat serbe ia vranë burrin dhe 11 kushërinjtë. Zonja Miradie tregon se forcat serbe i detyruan fëmijët që të përshëndeteshin për herë të fundit me baballarët e tyre.

“Meshkujt i larguan nga xhamia dhe neve na vendosën aty. Na detyruan të sillemi rreth e çark për t’u përshëndetur me burrat dhe baballarët sepse na thanë që më nuk do t’i shohim. Burri im ia dha një copë të vogël bukë çikës. Ata i mshuan me pushkë dorës dhe i ra buka nga dora. Na thanë përshëndetuni për herë të fundit. Burri u tha: ‘Nuk kemi bërë asgjë për këto që po na bëni’. Ndërsa ata ia kthyen: ‘nuk i dihet’”, fillon rrëfimin për RTV Dukagjinin,

Ajo thotë se forcat serbe në Krushë i kanë djegur njerëzit e gjallë.

“I kanë parë duke i hyp meshkujt e Krushës së Madhe nëpër kamiona dhe i kanë kallë me benzinë. 56 refugjatë i kanë kallë lart te xhamia, në një shtëpi”. Më tej Miradia thotë se u detyrua që vetëm me djalin e vogël të largohet për në Gjakovë, pa e ditur se ku i ka anëtarët e tjerë të familjes.

“Në Gjakovë kam përjetuar edhe më shumë tmerr, pasi nuk e kam ditur ku i kam anëtarët e familjes tjetër. Në Gjakovë vetëm krime. Djalin e kam pasur të operuar. Doktori më tha ‘kape djalin e shko në Shqipëri’. I thashë ku të shkoj kur nuk kam askënd atje. Pas dy jave më është futur në ëndërr. Në Gjakovë ditën na lenin të pushonim ndërsa natën na hynin në shtëpia. Mu fut në ëndërr: ‘Çohu shko në Shqipëri se burrin ta kanë vrarë, ndërsa fëmijët i ke në Shqipëri’. Ne e dinim që burrin ma kanë mbytur”, shton Miradia.

Rrëfen se më pas ishte nisur rrugës për në Shqipëri, ndërkaq gjatë rrugës forcat serbe e kishin keqtrajtuar shumë atë dhe djalin e saj 7 muajsh.

“Para se të futemi në Shqipëri na ndaluan përsëri. Unë meqë e kisha djalin të plagosur më ndalën të parën. Çka të ka djali më pyetën. NATO u thashë. Ashtu më tha doktori të them. Ma kapi djalin një serb dhe ma vendosi në pushkë. Dy orë e gjysmë në atë gjendje. Zoti ka dashtë që të mos shuhet kjo familje. Iu lutesha që të mos më mbysin djalin. A ke shpirt, mos ma mbyt djalin, iu lutesha. Aty njëri nuk ishte serb por boshnjak. Më tha: ‘djalin nuk ta mbysë se më kanë sjellë me dhunë’”.

Moment i rëndë ishte edhe takimi i Miradies me të bijat.

“Një kushëri i burrit më tha se m’i kanë gjetur çikat. Më dërguan në Rrogozhinë. Më doli para çika e vogël dhe më tha: ‘Nënë ku është baba?’. Si t’i them se babain ta ka mbytur serbi e ta ka kallë për së gjalli?! Thashë nuk e di, inshalla janë gjallë”, rrëfen Miradija. Pas takimit me të bijat, zonja Miradie ishte kthyer përsëri në fshatin Krushë ku gjithçka ishte e djegur e shkatërruar.

Miradie Ramadanit nga fshati Krushë e Madhe e komunës së Rahovecit, forcat serbe ia vranë burrin dhe 11 kushërinj. Zonja Miradie tregon se forcat serbe i detyruan fëmijët që të përshëndeteshin për herë të fundit me baballarët e tyre. Ajo rrëfen se si u vranë meshkujt e atij fshati dhe si u detyruan të tjerët të braktisin vatrat e tyre e të shkojnë në Shqipëri.

Gepostet von RTV Dukagjini am Montag, 25. März 2019