×
  • Lajme
  • Lajme

    E paprecedent: Prokuroria e Hagës bëri politikë të vrazhdë me një aktakuzë ende edhe të pakonfirmuar

    Reporteri
    25 Qershor 2020 | 17:25

    Një komunikatë e paprecedent dhe e paparë në sistemet e mirëfillta të drejtësisë në vendet demokratike është lëshuar një ditë më parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Komunikata që njoftoi se dy ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë të akuzuar për krime lufte nga e ashtuquajtura Gjykata Speciale, paragjykoi verdiktin final që mund të këtë procesi gjyqësorë ndaj tyre. Natyrisht, nëse një i tillë nis, pasi aktakuza nuk është konfirmuar ende, dy muaj pas dorëzimit të saj në Dhomat e Specializuara të Hagës.


    “z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”. Kjo është fjala e fundit e deklaratës për shtyp e Zyra së Prokurorit të Specializuar që të mërkurën pasdite tronditi Kosovën.

    Kumtesa, që nxjerri në publikë, emrat e dy të akuzuarve të parë nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale, e që ishin hiq më pak se dy figura të rëndësishme të luftës dhe tash politike në Kosovë, në mbyllje të saj paragjykoi epilogun e procesit ndaj të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Më të paprecedent ketë – dhe që vë në dyshim serioz profesionalizmin dhe pavarësinë e kësaj gjykate – e bënë fakti se aktakuza e ngritur më 24 prill 2020 nuk është e konfirmuar ende nga gjyqtari paraprak i gjykatës. Ky i fundit ka gjashtë muaj afat, nga dita e dorëzimit të aktakuzës në gjykatë, për konfirmimin apo refuzimin e saj.

    Referimi i personave që do të kenë punë me drejtësinë e Dhomave të Specializuara të Hagës, sikurse në secilin sistem juridik që ka funksionim normal dhe demokratik përkufizohet me termin “i dyshuar”, apo “i akuzuar” në rast se është konfirmuara aktakuza.

    Kjo rregullohet edhe me rregullën numër 2 të Rregullores së Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës e miratuar më 17 mars 2017, rishikuar më 29 maj 2017 e ndryshuar më 29 dhe 30 prill 2020, shkruan Reporteri.net.

    Aty thuhet: “I dyshuar: Person për të cilin Prokurori i Specializuar ka arsye të besojë se ka kryer apo ka marrë pjesë në kryerje e një vepre penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”.

    Ndërsa, “I akuzuar: Person fizik kundër të cilit janë konfirmuar një apo më shumë akuza në përputhje me nenin 39(2) të Ligjit dhe rregullën 86”.

    Ndonëse komunikata thekson se aktakuza nga Thaçit e Veselit është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm, fjalia e fundit e kumtesës në formë i jep epilog procesit, shqyrtimi gjyqësor i të cilit nuk ka nisur, dhe ka afat deri në tetor të këtij viti që të nisë.

    Edhe në pjesën e parë të kumtesës, gjykata Thaçit e Veselit, nuk iu referohet si “të dyshuar” por si “ta akuzuar”, për dallim nga referimi “të dyshuar” që iu bëhet personave tjerë të akuzuar në të njëjtën aktakuzë e që ZPS-ja sikurse edhe DHSP-ja vazhdojnë t’i klasifikojnë si konfidencial.

    “Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, shkruan kumtesa.

    Sidoqoftë, kumtesa tregon se “Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së”, shkruan Reporteri.net.

    “Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”, thuhet nder tjera.

    Publikimi i komunikatës së djeshme u pa nga shumë si rrjedhë politike, pasi ndodhi tre ditë para se në Washington të nisë dialogu Kosovë-Serbi, e që pjesë e delegacionit kosovar ishte paraparë të jetë edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili anuloi udhëtimin, sikurse më vonë u shty për një datë tjetër takimi, me të mësuar se ka ‘telashe’ me Hagën. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!